SHBA godet nga ajri motoskaf në Paqësorin Lindor, dyshohet për trafik droge; tre të vrarë
Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë kryer një sulm ajror ndaj një motoskafi, që dyshohet se transportonte drogë, në Paqësorin Lindor. Sulmi ka lënë të vrarë tre persona që ndodheshin në bord.
Ky lajm është bërë i ditur nga Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), e cila ka publikuar edhe pamje video që, sipas saj, tregojnë momentin e goditjes së mjetit lundrues.
Në deklaratën e saj zyrtare, SOUTHCOM pretendon se motoskafi ishte i përfshirë në aktivitete të trafikut të drogës dhe se gjatë operacionit u eliminuan tre persona, të cilësuar si “narko-terroristë”.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e viktimave, sasinë e drogës së sekuestruar apo vendndodhjen e saktë të operacionit.
Sipas të dhënave të publikuara, që nga shtatori i vitit të kaluar, SHBA-ja ka ndërmarrë dhjetëra operacione të ngjashme kundër mjeteve lundruese të dyshuara për trafik droge në rajonin e Karaibeve dhe Paqësorit. Raportohet se këto operacione kanë shkaktuar afro 200 viktima.
Megjithatë, janë ngritur kritika ndaj Uashingtonit për mungesën e provave të publikuara, të cilat do të vërtetonin se të gjitha mjetet e goditura ishin të përfshira në veprimtari të paligjshme. Kjo ka nxitur një debat mbi transparencën dhe bazën ligjore të këtyre ndërhyrjeve ushtarake.
