Barcelona zyrtarizon Antoni Gordon – Përforcim i rëndësishëm

ZYRTARE: Barcelona nuk humbet kohë, prezanton afrimin e rëndësishëm në merkato

Tashmë është zyrtare: Antoni Gordon është lojtari më i ri i Barcelonës, duke firmosur një kontratë deri në vitin 2031. Klubi katalanas e zyrtarizoi transferimin e sulmuesit anglez këtë të premte, pasi ai kaloi me sukses vizitat mjekësore.

Me këtë lëvizje, Gordon bëhet afrimi i parë i skuadrës së drejtuar nga Hansi Flik për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi anglez vjen nga Njukastëll si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, i cili vuajti shumë nga dëmtimet gjatë sezonit të kaluar.

Flik shpesh u detyrua të improvizonte në sulm, dhe drejtuesit e klubit besojnë se Gordon mund të sjellë më shumë alternativa taktike falë shpejtësisë, intensitetit dhe aftësisë së tij për të kaluar kundërshtarët në duele një kundër një.

Një nga pikat më të forta të Gordon është fleksibiliteti në fazën sulmuese. Edhe pse pozicioni i tij natyral është në krahun e majtë, aty ku do të konkurrojë drejtpërdrejt me Rafinjën, ai mund të luajë edhe në të djathtë, ku aktivizohet Lamin Jamal, si dhe në rolin e sulmuesit qendror për t’i dhënë më shumë konkurrencë Ferran Torres.

Përtej statistikave, Flik vlerëson shumë presionin e lartë dhe intensitetin e Gordon pa top. Anësori anglez përshtatet në mënyrë perfekte me stilin dinamik dhe agresiv që trajneri gjerman dëshiron të ndërtojë te Barcelona. /Panorama Sport/

Scroll to Top