SHBA-të janë gati të rifillojnë sulmet ndaj Iranit, nëse nuk arrihet marrëveshje.
Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, bëri një deklaratë të fortë duke thënë: “SHBA-të janë gati të rifillojnë sulmet ndaj Iranit nëse nuk do të arrihet një marrëveshje!”. Ai u shpreh kështu ndërkohë që negociatorët nga Uashingtoni dhe Teherani po përpiqen të kapërcejnë dallimet thelbësore që po pengojnë një marrëveshje të mundshme.
“Aftësia jonë për të rifilluar, nëse është e nevojshme… ne jemi më se të aftë,” tha Hegseth në Singapor, sipas raportimit të Reuters. “Rezervat tona janë më se të përshtatshme për këtë, si atje (në rajon) ashtu edhe në të gjithë globin, kështu që jemi në një pozicion shumë të mirë,” shtoi ai.
Hegseth, duke folur në Forumin Shangri-La, ngjarja kryesore e mbrojtjes në Azi për liderë, ushtarakë dhe diplomatë, theksoi se SHBA-të nuk i kanë kthyer shpinën rajonit të Azi-Paqësorit, pavarësisht angazhimit të tyre në konfliktin me Iranin.
“Mund të bëjmë dy gjëra në të njëjtën kohë. Po fuqizojmë bazën tonë industriale të mbrojtjes në mënyrë që shumë shpejt të prodhojmë dy, tre, katër herë më shumë municione për të siguruar që të gjitha planet tona operative të financohen siç duhet në të gjithë botën,” tha ai.
Shefi i Pentagonit tha se Presidenti Donald Trump ishte “i duruar” dhe dëshironte të arrinte një “marrëveshje të shkëlqyer” që do të garantonte që Irani të mos posedojë armë bërthamore.
Të premten, Trump njoftoi se do të takohej në një “dhomë të sigurt” në Shtëpinë e Bardhë për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një propozim për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Ky propozim do të shtynte armëpushimin e fillimit të prillit për 60 ditë të tjera, duke u dhënë kështu negociatorëve kohë për të arritur një fund të përhershëm të konfliktit.
Lufta e nisur nga SHBA-të dhe Izraeli më 28 shkurt ka shkaktuar mijëra viktima, kryesisht në Iran dhe Liban, si dhe probleme ekonomike globale. Kjo u përkeqësua nga rritja e çmimeve të energjisë për shkak të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
