“`html
“Pas Iranit është radha e Kubës”: Trump ka paralajmëruar sulme në ishull. Reuters analizon pritshmëritë nga takimi i gjeneralit amerikan me zyrtarët kubanë.
Gjenerali më i lartë amerikan përgjegjës për operacionet ushtarake në Amerikën Latine zhvilloi të premten një takim të rrallë me zyrtarë ushtarakë kubanë pranë Bazës Detare të SHBA-së në Gjirin e Guantanamos, Kubë. Lajmin e bëri të ditur ushtria amerikane.
Sipas Reuters, gjenerali amerikan Francis Donovan, komandant i Komandës Jugore të SHBA-së, diskutoi çështje sigurie operacionale me delegacionin kuban, të udhëhequr nga gjenerali Roberto Legra Sotolongo, zëvendësshef i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kubane.
“Donovan kryeë një vlerësim të sigurisë së perimetrit të bazës detare dhe diskutoi me zyrtarët mbrojtjen e forcave, sigurinë e personelit ushtarak dhe familjeve të tyre, si dhe gatishmërinë operacionale”, thuhet në një deklaratë të Komandës Jugore të SHBA-së.
Vizita e Donovan në Kubë konsiderohet si e para e këtij niveli në kujtesën e viteve të fundit nga një drejtues i Komandës Jugore. Ajo vjen në një kohë kur në Kubë janë shtuar shqetësimet për mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane kundër ishullit të drejtuar nga regjimi komunist.
Forcat e Armatosura Kubane njoftuan përmes një deklarate në rrjetet sociale se takimi u zhvillua me pëlqim të ndërsjellë dhe se u ra dakord për ruajtjen e kanaleve të komunikimit.
“Të dy delegacionet vlerësuan pozitivisht takimin, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë përgjatë perimetrit ndarës të enklavës ushtarake dhe u dakordësua vazhdimi i komunikimit mes dy komandave ushtarake”, thuhet në deklaratën kubane.
Takimi zhvillohet vetëm pak javë pas një vizite të rrallë në Havanë nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, në fillim të majit. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka përmendur vazhdimisht Kubën si një nga prioritetet e politikës së jashtme të mandatit të tij të dytë, duke lënë të kuptohet se ishulli mund të jetë në fokusin e ardhshëm të administratës së tij pas përfundimit të krizës me Iranin.
Ishulli antagonist me SHBA-të
Kuba ka qenë një shtet kundërshtar i SHBA-së për dekada, që nga revolucioni i Fidel Castros në vitin 1959. Donald Trump mbështetet fuqimisht nga kubano-amerikanët e linjës së ashpër në Florida, të cilët kanë kërkuar ndryshimin e regjimit të nxitur nga SHBA-ja për dekada të tëra, dhe administrata e tij ka rritur vazhdimisht presionin mbi ishullin.
Qasja më e vendosur e Uashingtonit në Amerikën Latine u pasqyrua në operacionin e ushtrisë amerikane më 3 janar 2026, kur forcat e SHBA-së ndërhynë në Karakase për të kapur presidentin venezuelian, Nicolás Maduro, dhe më pas ta transportonin me avion në Nju Jork, ku do të përballej me akuza për trafik droge.
Ndërkohë, më 20 maj, autoritetet amerikane ngritën zyrtarisht akuza ndaj ish-presidentit kuban Raul Castro për katër vepra penale të lidhura me vrasjen, në lidhje me rrëzimin e një avioni civil në vitin 1996, që operohej nga emigrantë kubanë me bazë në Majami. Aktakuza konsiderohet si shembulli më i fundit i përpjekjeve të administratës Trump për të rritur dhe afirmuar ndikimin e SHBA-së në Hemisferën Perëndimore.
“`
