SHBA-Iran: Negociata kritike, pa marrëveshje përfundimtare

Negociatat SHBA-Iran në fazë kritike: Trump drejt “vendimit përfundimtar”, Teherani refuzon kushtet

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për një marrëveshje të mundshme kanë hyrë në një fazë vendimtare. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se është duke u konsultuar me zyrtarë të sigurisë për të marrë një “vendim përfundimtar” mbi ofertën aktuale. Megjithatë, Teherani ka theksuar se nuk ekziston ende një marrëveshje përfundimtare, duke lënë të hapura shumë prej çështjeve kryesore që ndajnë dy palët.

Sipas raportimeve, drafti fillestar i marrëveshjes parashikonte një zgjatje 60-ditore të armëpushimit dhe masa për lehtësimin e lëvizjes detare, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e disa kufizimeve amerikane. Kjo fazë tranzitore do t’u jepte palëve më shumë kohë për të negociuar çështjet më të ndërlikuara, si programi bërthamor i Iranit dhe sanksionet ekonomike.

Uraniumi i pasuruar, “vija e kuqe” e Uashingtonit

Çështja më e ndjeshme mbetet uraniumi i pasuruar i Iranit, i cili arrin nivele deri në 60 për qind, shumë pranë pragut teknik për përdorim ushtarak. Uashingtoni kërkon që Irani të heqë dorë nga këto rezerva, ndërsa Teherani e konsideron këtë kërkesë një cenim të sovranitetit të tij energjetik. Zyrtarë amerikanë kanë theksuar se parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore mbetet “vijë e kuqe”, ndërsa diskutimet aktuale synojnë vetëm një marrëveshje të përkohshme.

Sanksionet dhe fondet e ngrira

Në sfond të negociatave mbetet edhe çështja e sanksioneve dhe fondeve të ngrira iraniane. Teherani kërkon me ngulm qasje të plotë në asetet e tij, ndërsa SHBA po hulumton formula për zhbllokimin e tyre pa kryer transfere të drejtpërdrejta financiare.

Analistët ndërkombëtarë theksojnë se dallimet mes dy vendeve mbeten mjaft të thella dhe çdo marrëveshje e mundshme do të kërkojë kompromise të mëdha në ditët dhe javët në vijim.

Scroll to Top