Shqipëria, e dyta më e shtrenjtë për qira ditore në Ballkan

Shqipëria renditet e dyta mes vendeve më të shtrenjta në Ballkan për sa i përket qirave ditore, sipas të dhënave të publikuara nga AirDNA.

Fluksi i shtuar i turistëve të huaj, i nxitur më parë nga çmimet e ulëta të akomodimit, ka çuar në një rritje të kostove, veçanërisht për qiratë ditore. Kjo situim e vendos Shqipërinë në vendin e dytë në rajon për këtë tregues, pas Malit të Zi.

AirDNA, një platformë analitike për njësitë akomoduese me afat të shkurtër, ka analizuar çmimet mesatare ditore (ADR), normën e zënies, kohën nga rezervimi deri në mbërritje dhe tendencat e kohëzgjatjes së qëndrimit në Europë. Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria kryeson listën e vendeve të shtrenjta në Ballkan me një çmim mesatar ditor prej 57 eurosh për natë.

Pas Shqipërisë, renditen Bosnjë-Hercegovina (56 euro/natë), Serbia (51 euro/natë) dhe Kosova (42 euro/natë). Maqedonia e Veriut rezulton të jetë destinacioni më i lirë në Europë, me një kosto mesatare prej 40 euro për natë.

Megjithatë, Shqipëria vijon të mbetet më e lirë krahasuar me Malin e Zi, i cili konsiderohet si konkurrenti kryesor turistik rajonal, si dhe me shumicën e vendeve të tjera europiane. Në Mal të Zi, çmimi mesatar ditor për akomodim arrin 79 euro/natë. Krahasime me vende fqinje tregojnë se Italia ka një çmim mesatar prej 146 euro/natë, Kroacia 130 euro/natë dhe Greqia 138 euro/natë.

Të dhëna të mëparshme nga platforma “Monitor” treguan se në Shqipëri, gjatë vitit 2025, pritet të jenë të disponueshme rreth 26.3 mijë apartamente dhe njësi të tjera banimi për qira. Këto njësi parashikohet të gjenerojnë një rekord të ardhurash prej 134 milionë eurosh, duke shënuar një rritje prej 23.4% krahasuar me vitin paraprak.

Pesë vendet më të shtrenjta dhe pesë më të lirat në Europë për qiratë afatshkurtra:

  • Monako kryeson listën si destinacioni më i shtrenjtë në Europë, me një mesatare prej 417 euro/natë. Tregu i Monakos karakterizohet nga një ofertë e kufizuar prej rreth 270 listash aktive. Udhëtarët rezervojnë mesatarisht 63 ditë paraprakisht, ndërsa qëndrimi tipik zgjat 3.8 net.
  • Islanda renditet e dyta, me një çmim mesatar ditor prej 209.9 euro. Reykjavik është tregu kryesor me rreth 2,500 listë aktive. Islanda ka kohën më të gjatë të rezervimit në Europë (73 ditë medianë), por edhe qëndrimin më të shkurtër (2.6 net).
  • Andorra pozicionohet e treta, me një çmim mesatar prej 188.57 euro/natë.
  • Zvicra vjen e katërta, me 184.26 euro/natë. Tregje si Interlaken mund të arrijnë deri në 284.30 euro në ditë.
  • Mbretëria e Bashkuar plotëson pesëshën e parë, me 175.79 euro/natë. Çmimet e larta nuk kufizohen vetëm në Londër, por shtrihen edhe në destinacione rurale e bregdetare.
  • Maqedonia e Veriut është destinacioni më i lirë në Europë, me një çmim mesatar ditor prej vetëm 39.81 euro dhe rreth 5,250 lista aktive.
  • Kosova renditet e dyta më e lirë, me 41.63 euro në ditë dhe rreth 2,800 lista aktive. Kosova dallohet për kohën më të shkurtër të rezervimit, vetëm 7 ditë medianë nga rezervimi deri në mbërritje.
  • Moldavia zë vendin e tretë, me 45.49 euro në ditë, por me normën më të lartë të zënies ndër vendet më të lira (62.7%).
  • Serbia renditet e katërta, me 51.17 euro në ditë dhe një treg më të zhvilluar me rreth 14,750 lista aktive.
  • Bosnja dhe Hercegovina mbyll listën e pesë më të lirave, me 56.33 euro në ditë dhe rreth 10,125 lista aktive. Tregu mbështetet kryesisht nga Sarajeva dhe udhëtimet drejt Mostarit e Hercegovinës.
Scroll to Top