Regjistri i bizneseve numëron 250 mijë njësi në vitin 2025, gati gjysma fermerë
Bizneset ligjore në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 5,1% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në një total prej 250.097 njësish aktive në fund të vitit 2025.
Kjo zgjerim ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të fermerëve aktivë, të cilët arritën në 112.205, me një shtim prej 6,1%, si dhe të ndërmarrjeve ekonomike aktive, të cilat u rritën me 4,3%, duke prekur shifrën 137.892.
Gjatë vitit 2025 u regjistruan 18.297 ndërmarrje të reja, duke shënuar një ecuri më të lartë se viti 2024, ku ishin regjistruar 15.970 të tilla. Gjithashtu, edhe regjistri i njësive lokale u zgjerua me 4,0%, duke numëruar 146.527 njësi aktive.
Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve aktive në vend, saktësisht 85,9% e tyre, operojnë në grupin e prodhuesve të shërbimeve, siç janë tregtia, transporti, akomodimi apo informacioni, duke realizuar edhe pjesën më të madhe të shitjeve neto me 68,2%. Nga ana tjetër, grupi i prodhuesve të të mirave, ku përfshihen bujqësia, industria dhe ndërtimi, përbën 14,1% të ndërmarrjeve dhe gjeneron 31,8% të shitjeve neto.
Sa i përket profilit të pronësisë dhe menaxhimit, ndërmarrjet me pronarë të huaj ose bashkëpronarë zënë 5,0% të totalit dhe sigurojnë punësim për 12,5% të të punësuarve gjithsej në vend.
Një zhvillim pozitiv vihet re edhe në përfaqësimin gjinor, ku gratë menaxhojnë ose zotërojnë 31,6% të ndërmarrjeve aktive gjithsej, një rritje e lehtë kjo krahasuar me 31,4% që ishte në vitin 2024. Pjesëmarrja më e lartë e grave në vendimmarrje është regjistruar në aktivitetet e shërbimeve të tjera me 41,2% dhe në tregti me 34,3%, ku kryesisht bëhet fjalë për biznese të vogla me 1 deri në 4 të punësuar.
Ndërkohë, sa i përket ndikimit ekonomik sipas madhësisë së bizneseve, ndërmarrjet e mëdha me 50 e më shumë të punësuar, ndonëse përfaqësojnë vetëm 1,5% të numrit total të ndërmarrjeve në Shqipëri, kanë një peshë kritike në ekonomi. Ato punësojnë pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore me 48,6% dhe realizojnë 44,8% të të gjithë volumit vjetor të shitjeve.
