Mesi fiton Çmimin Princesha e Asturias për Sportin 2026

Lionel Mesi është nderuar me “Çmimin Princesha e Asturias për Sportin 2026”, duke u bërë pasardhësi i Serena Williams, e cila e fitoi çmimin vitin e kaluar.

Juria e vlerësoi Mesin për një karrierë të konsideruar ndër më të shkëlqyerat në historinë e sportit, e shquar për suksese të shumta kolektive dhe individuale, si dhe për një ndikim që shtrihet përtej fushës së lojës.

38-vjeçari tregon një CV thuajse të pakrahasueshme. Gjatë viteve të tij te Barcelona, ku mbërriti nga Argjentina, ai u shndërrua në figurën kryesore të një prej periudhave më të suksesshme të klubit. Në “Camp Nou”, ai fitoi tituj të shumtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë:

  • Katër Liga Kampionesh
  • 10 tituj të ligës spanjolle
  • 7 trofe të Kupës së Mbretit
  • 3 Kupa të Botës për Klube
  • 3 Superkupa UEFA
  • 8 Superkupa të Spanjës

Koleksioni i tij i trofeve u pasurua te PSG me dy tituj lige dhe një kupë. Si lojtar për Inter Miami, ku luan aktualisht, ai ka fituar gjithashtu një Kupë MLS, një Kupë të Ligës dhe një Mburojë të Mbështetësve.

Me kombëtaren argjentinase, ai arriti kulmin e karrierës së tij duke fituar Kupën e Botës FIFA 2022, titulli i madh që i mungonte kabinetit të tij të trofeve. Ai i shtoi këtyre sukseseve dy tituj të Copa América, duke konsoliduar lidershipin e tij te “Albceleste”.

Në nivel individual, Mesi mban rekordin për tetë çmime Topi i Artë, përveç shumë çmimeve si lojtari më i mirë në botë. Argjentinasi ka marrë gjithashtu disa çmime ndërkombëtare, përfshirë Çmimin Botëror të Sportit Laureus për Sportistin e Vitit. Tani, “Çmimi Princesha e Asturias për Sportin” do të zbukurojë gjithashtu trashëgiminë e tij.

Scroll to Top