AIDA forcon Investimet e Huaja: Takime me Investitorët Gjermanë & Italianë

AIDA fillon takime “derë më derë” me investitorë të huaj gjatë qershorit

Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) njoftoi se gjatë muajit qershor 2026 do të zhvillojë një seri takimesh “door-to-door” me kompani me kapital gjerman, italian, austriak, hungarez, hollandez dhe zviceran që operojnë në Shqipëri.

Kjo fushatë është pjesë e Programit Aftercare 2026 dhe ka si qëllim krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm komunikimi me investitorët e huaj ekzistues. Përmes këtij programi, AIDA synon të identifikojë problematikat që ndikojnë në aktivitetin e kompanive, të mbledhë informacion mbi përvojën e tyre në Shqipëri dhe të diskutojë mundësitë për zgjerim apo investime të mëtejshme.

Në fokus të takimeve do të jenë kompanitë me kapital nga Gjermania, Italia, Austria, Hungaria, Holanda dhe Zvicra. Diskutimet do të zhvillohen drejtpërdrejt me përfaqësues të bizneseve, me qëllim evidentimin e çështjeve që lidhen me klimën e biznesit, procedurat administrative, shërbimet publike, infrastrukturën dhe marrëdhënien me institucionet qendrore dhe vendore.

Sipas materialit të AIDA-s, takimet do të mbështeten në një qasje proaktive dhe të koordinuar ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat. Gjatë tyre do të trajtohen sfidat ekzistuese, planet për zgjerim, si dhe nevojat që kompanitë kanë për të vijuar apo rritur aktivitetin në Shqipëri.

Programi Aftercare 2026 mbështetet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe ambasadat e vendeve që janë pjesë e fushatës së qershorit. Përfshirja e këtyre institucioneve synon të krijojë një kanal më të strukturuar bashkëpunimi për trajtimin e çështjeve që ngrihen nga investitorët.

Një komponent i veçantë i programit është përfshirja e pushtetit vendor. AIDA ka nënshkruar 12 Memorandume Mirëkuptimi me bashki në Shqipëri, me qëllim rritjen e koordinimit institucional dhe mbështetjen e investitorëve në nivel lokal. Kjo përfshirje lidhet me faktin se një pjesë e problematikave të biznesit kanë të bëjnë me shërbime, procedura apo vendimmarrje që varen nga administrata vendore.

Krahas takimeve në terren, AIDA parashikon krijimin e një platforme digjitale të dedikuar për shërbimin aftercare. Platforma do t’u mundësojë investitorëve komunikim në kohë reale, raportim të problematikave, ndjekje institucionale të çështjeve të ngritura dhe më shumë transparencë mbi ecurinë e trajtimit të tyre.

Nëpërmjet kësaj fushate, AIDA njofton se synon të forcojë marrëdhëniet me investitorët ekzistues, të përmirësojë klimën e biznesit dhe të nxisë zgjerimin e investimeve të huaja në Shqipëri. Programi do të vijojë edhe me shtete të tjera në fazat e ardhshme.

Scroll to Top