Anketa e PwC: CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova shprehin optimizëm të matur për të ardhmen
Drejtuesit ekzekutivë të kompanive shqiptare kanë shfaqur një optimizëm të matur në anketën vjetore të kompanisë globale të konsulencës Pricewaterhouse Coopers (PwC). Anketa e PwC përfshiu më shumë se 4400 drejtues ekzekutivë (CEO) të kompanive në mbarë botën, nga të cilët 47 ishin nga Shqipëria dhe Kosova.
Përgjigjet e CEO-ve nga Shqipëria dhe Kosova tregojnë një optimizëm të matur për periudhën afatshkurtër, ku 49% e tyre presin që të ardhurat e bizneseve të rriten gjatë 12 muajve të ardhshëm. Në një perspektivë afatmesme, optimizmi është pak më i lartë: 55% e tyre parashikojnë rritje të të ardhurave brenda tre viteve të ardhshëm.
Erold Kamberi, menaxher i lartë në PwC Albania, shpjegon se në afatin e shkurtër, optimizmi është më i moderuar, i ndikuar kryesisht nga tensionet gjeopolitike. Në afat të mesëm, optimizmi i drejtuesve të korporatave shqiptare mund të lidhet me tendencat pozitive në teknologji, inovacion dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Lidhur me rreziqet kryesore, drejtuesit ekzekutivë nga Shqipëria dhe Kosova kanë një perceptim të shpërndarë, pa dominim të një rreziku të vetëm. Rreziku kryesor i listuar është inflacioni, por vetëm me 28% të përgjigjeve. Rreziqe të tjera përfshijnë ato kibernetike, teknologjike, mungesën e aftësive dhe ato gjeopolitike. Ndryshe nga niveli global, ku ka një përqendrim më të lartë të përgjigjeve te rreziqe të veçanta, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova tregojnë një perceptim më të shpërndarë të rreziqeve.
Anketa tregon gjithashtu se CEO-t në Shqipëri dhe Kosovë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e inovacionit, me gjysmën e tyre që e cilësojnë atë si pjesë qendrore të axhendës së tyre. Megjithatë, duket se ekziston një hendek mes vetëdijes për rëndësinë e inovacionit dhe mundësive reale të bizneseve për ta mbështetur atë.
“CEO-t e kanë kuptuar që pa inovacion, sot nuk ka të ardhme dhe nuk mund të jenë më relevantë. Prandaj, përgjigjet tregojnë se ata e kanë prioritet dhe fokus inovacionin dhe rritjen. Megjithatë, ekziston një hendek mes besimit dhe realitetit, sepse shumë prej tyre shprehen se nuk kanë strukturat e duhura, nuk janë të gatshëm të përballojnë kostot apo rreziqet që vijnë me inovacionin dhe teknologjinë, ose kanë mungesë të aftësive të punonjësve dhe duhet të krijojnë struktura për t’i zhvilluar ato aftësi,” thekson z.Kamberi.
Veçanërisht, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova janë shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve me Inteligjencën Artificiale (AI). Anketa tregon nivele më të larta të përdorimit të AI-së krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore (EQL). Në shërbimet mbështetëse, Shqipëria dhe Kosova shfaqin përdorim të lartë të AI-së, me 28%, pothuajse dyfishin e mesatares së EQL-së (15%) dhe duke tejkaluar shifrën globale (20%).
Hendeku më i madh rajonal vërehet në fushën e Gjenerimit të Kërkesës, ku 21% e CEO-ve lokalë raportojnë se aplikojnë AI, krahasuar me vetëm 5% në EQL dhe afër pikës referuese globale (22%). Me 21%, CEO-t nga Shqipëria dhe Kosova raportojnë se aplikojnë AI-në në planifikimin strategjik dhe vendimmarrje, me norma më të larta se në EQL (13%) dhe globalisht (15%), duke sugjeruar një prirje më të fortë për të përfshirë AI-në në proceset e lidershipit dhe qeverisjes.
“Mesazhi që marrim është se inteligjenca artificiale nuk është këtu për të na zëvendësuar punën, por është interesante që ajo mund të zëvendësojë punën e atyre që nuk mësojnë AI. Kjo del nga anketa jonë dhe është në linjë me lajmet e viteve të fundit, që inteligjenca artificiale, me shumë mundësi, nuk do na zëvendësojë neve, por do zëvendësojë ata që nuk e mësojnë dhe nuk e përdorin inteligjencën artificiale,” përfundon z.Kamberi.
