Katër cisterna me flamur iranian kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit me ngarkesa të plota nafte, duke shënuar operacionin e parë të këtij lloji që nga muaji prill dhe vendosja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane. Këtë e raporton kompania e monitorimit detar Kpler.
Sipas të dhënave të Kpler, anijet Hilda I, Amber, Silvia I dhe Happiness I transportonin së bashku rreth 7 milionë fuçi naftë bruto. Të gjitha anijet kishin ngarkuar naftën në mes të prillit në Ishullin Kharg, terminali kryesor i eksporteve të naftës së Iranit, përmes të cilit kalon rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të Republikës Islamike.
Kpler raportoi se cisternat kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit të hënën me transmetuesit e Sistemit Automatik të Identifikimit (AIS) të fikur. Kjo është një praktikë e zakonshme për t’i shmangur gjurmimit të lëvizjeve të anijeve.
Këto katër anije zakonisht transportojnë naftë iraniane drejt zonave detare pranë Malajzisë dhe Singaporit. Atje, kryhen transferime nga anija në anije para se ngarkesa të dërgohet te blerësi përfundimtar, shpesh në Kinë.
Fillimisht, cisternat vazhduan aktivitetin e tyre edhe pas shpërthimit të konfliktit më 28 shkurt, pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit. Megjithatë, ato pezulluan operacionet më 13 prill, kur Uashingtoni vendosi bllokadën ndaj porteve iraniane si kundërpërgjigje ndaj kufizimeve të vendosura nga Teherani në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Kpler, tre cisterna të lidhura me Iranin sfiduan bllokadën më 15 prill, por që nga ajo datë nuk ishte regjistruar asnjë përpjekje tjetër e ngjashme. Ndërkohë, ushtria amerikane ka njoftuar vazhdimisht për ndërhyrje kundër anijeve që përpiqen të shkelin bllokadën.
Të martën, ajo deklaroi se kishte “neutralizuar” një cisternë të zbrazët duke goditur dhomën e motorit të saj për të penguar mbërritjen në Ishullin Kharg. Sipas njoftimeve amerikane, kjo është anija e gjashtë që është dëmtuar gjatë operacioneve të zbatimit të bllokadës ndaj Iranit.
