Euro bie, Banka Shqipërisë blen miliarda

Kursi i Euros ndaj Lekut pësoi një rënie të mëtejshme, duke u afruar pranë pragut të 95 lekëve.

Kursi i këmbimit të Euros ndaj Lekut ka vijuar rënien këtë javë, duke arritur një nivel historik të ulët. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, sot Euro u këmbye me 95.29 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Që nga fillimi i vitit, Euro është zhvlerësuar me 1.5%, ndërsa në baza vjetore, monedha europiane ka pësuar një rënie prej rreth 3%.

Agjentët e këmbimit valutor parashikojnë se me hyrjen në sezonin veror, presionet nënçmuese mbi euron do të intensifikohen. Kjo pritet të vijë si pasojë e rritjes së prurjeve valutore të lidhura me aktivitetin turistik. Tendenca e lehtë në rënie e kursit Euro-Lek pritet të vijojë, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme nga Banka e Shqipërisë.

Banka Qendrore po ndërhyn rregullisht në tregun valutor edhe gjatë këtij viti për të frenuar ritmin e zhvlerësimit të Euros. Edhe pse informacioni detajuar për ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2026 nuk është bërë publik, bazuar në shifrat e dy viteve të fundit, mund të konkludohet se Banka e Shqipërisë po tërheq sasi të konsiderueshme valute nga tregu.

Statistikat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar, Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro. Këto blerje, të kryera kryesisht për rritjen e rezervës valutore, kanë pasur si qëllim të frenojnë forcimin e kursit të këmbimit të Lekut. Sasia e valutës së blerë u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore ka blerë rreth dy miliardë euro në tregun valutor, blerje që vetëm sa kanë ngadalësuar rënien e monedhës europiane.

Deri tani, as rritja e inflacionit për produktet e importuara, kryesisht karburanteve, nuk ka arritur të nxisë kërkesën për valutë apo të frenojë presionet zhvlerësuese mbi euron. Kjo konfirmon se flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare mbeten të larta. Ato lidhen kryesisht me turizmin, investimet e huaja në prona, si dhe me prurjet informale, të cilat vazhdojnë të jenë një faktor me peshë në perceptimin publik, pavarësisht se pesha reale e tyre nuk mund të matet.

Rënia e vazhdueshme e Euros gjatë dekadës së fundit, e përshpejtuar sidomos pas pandemisë, ka sjellë ndryshime të rëndësishme strukturore në ekonominë shqiptare dhe ka ndikuar në sektorët e eksportit, veçanërisht atyre që mbështeten në krahun e lirë të punës. Një rënie e mëtejshme e kursit do të shtojë presionin mbi konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të eksportuara, duke filluar nga sektori i turizmit.

Nga ana tjetër, rënia e Euros konsiderohet se ka pasur një efekt pozitiv mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve të importuara. Megjithëse në shumicën e rasteve nuk shihet një ulje e drejtpërdrejtë e çmimeve, forcimi i Lekut ka lejuar një rritje më të kufizuar të tyre, sidomos gjatë periudhës 2022-2023. Pjesërisht, kjo ka lejuar importuesit të amortizojnë kostot e rritura të punës dhe pagave.

Scroll to Top