Titulli origjinal: Situatë delikate te Milani/ Menja i ka thënë Tares se rinovoi për të dhe Alegrin
Gazetarja Monika Kolombo ka zbuluar një prapaskenë të rëndësishme në lidhje me Majk Menja, kapitenin e Milanit, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e tij te klubi.
Përveç Rafael Leaos, i cili ka shprehur dy herë dëshirën për t’u larguar këtë verë, Luka Modriçit, ende të pavendosur pas Botërorit të Amerikës së Veriut, dhe Adrien Rabiosë, që mund të largohet pas ndryshimeve në stolin e trajnerit, edhe Majk Menja i shtohet listës së lojtarëve kyç të Milanit që mund të largohen në muajt e ardhshëm. Kjo situatë bëhet edhe më e ndjeshme pasi bëhet fjalë për kapitenin e skuadrës, i cili vetëm më 31 janar ka rinovuar kontratën deri në vitin 2031.
DEKLARATA – Ndërsa trajtonte këtë temë, Monika Kolombo, gazetare e “Corriere della Sera” dhe e njohur për afrinë e saj me ngjarjet e Milanit, ka zbuluar një prapaskenë që përfshin ish-drejtorin sportiv Igli Tare dhe ish-trajnerin Masimiliano Alegri. Sipas saj:
- “Pakënaqësia e Menjas është shtuar. Portieri francez, në ditët e fundit të kampionatit, i kishte rrëfyer Igli Tares se kishte firmosur rinovimin e kontratës vetëm sepse i konsideronte atë dhe Alegrin si garanci për projektin. Tani ai është gati të shikojë përreth.”
Kjo deklaratë lë hapura shumë skenarë për të ardhmen e portierit francez, i cili deri pak kohë më parë konsiderohej një nga shtyllat kryesore të projektit kuqezi, por tani duket më i pasigurt për vazhdimësinë e tij në Milano.
KLUBI – Sipas asaj që raporton këtë mëngjes “La Gazzetta dello Sport”, qëndrimi i Milanit është shumë i qartë. Klubi nuk ka ndërmend të shesë portierin dhe kapitenin e skuadrës. Madje, Xherri Kardinale pritet të zhvillojë një takim me Menjan për t’i shprehur vlerësimin dhe besimin që ka ndaj tij.
Ekziston vetëm një skenar që mund të çojë në largimin e francezit: mbërritja e një oferte që Milani nuk mund ta refuzojë. Sipas gazetës italiane, kjo shumë duhet të jetë në nivelin e 40-50 milionë eurove. Gjithashtu, shumë do të varet edhe nga paraqitjet e Menjas në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Amerikën e Veriut, të cilat mund të ndikojnë në interesimin dhe vlerën e tij në treg.
