Tragjedi në Berlin Pride: 1 i vdekur, 16 të plagosur në sulm me automjet

VIDEO/ Automjeti përplaset me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin, 1 i vdekur, 16 të plagosur

Një ngjarje tragjike tronditi Berlinin mbrëmjen e së shtunës, kur një automjet u përplas me turmën e pjesëmarrësve në eventin Christopher Street Day (Berlin Pride), duke lënë një person të vdekur dhe të paktën 16 të plagosur.

Incidenti ndodhi pak pas orës 22:00 me orën lokale në zonën Tiergarten, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për festimet e Berlin Pride. Sipas Policisë së Berlinit, një furgon i vogël i bardhë hyri me shpejtësi të lartë në zonën e eventit, goditi një numër të madh njerëzish dhe më pas u përplas me një pemë.

Shoferi braktisi automjetin dhe u largua në këmbë. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e të dyshuarit, ku janë angazhuar forca të shumta policore dhe një helikopter.

Policia konfirmoi se një person humbi jetën nga plagët e marra, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve mjekësore për ta shpëtuar në vendngjarje. Të paktën 16 persona të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Departamenti i Zjarrfikësve e shpalli ngjarjen si incident me viktima masive, ndërsa mbi 150 zjarrfikës dhe ekipe shpëtimi u angazhuan në operacion. Për transportimin e të plagosurve rëndë u ngrit një pikë e përkohshme uljeje për helikopterët pranë zonës së Reichstagut, ndërsa ambulancat dhe ekipet mjekësore vijuan evakuimin drejt spitaleve.

Pas incidentit, organizatorët e Christopher Street Day, në bashkëpunim me policinë, vendosën të ndërpresin aktivitetet dhe të evakuojnë zonën përpara skenës kryesore pranë Portës së Brandenburgut.

Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur motivin e ngjarjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Scroll to Top