Tërmet 6.2 ballë godet Kubën, ndjehet edhe në Florida

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë ka goditur brigjet veriperëndimore të Kubës, ndërsa lëkundjet janë ndjerë deri në Florida.

Sipas Qendrës Kombëtare për Kërkime Sizmologjike (CENAIS) të Kubës, epiqendra e tërmetit u lokalizua rreth 100 kilometra në veriperëndim të qytetit Mantua, me një thellësi fokale prej 20 kilometra.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se lëkundjet, që zgjatën disa sekonda, u ndjenë në një zonë të gjerë, duke shkaktuar panik dhe duke shtyrë banorët të dalin nga shtëpitë dhe ndërtesat.

Një banore nga Havana, Carmen Delgado, 47-vjeçare, e cila ka përshkruar përvojën si të papritur dhe të frikshme, u shpreh: “Në fillim mendova se po më merrej mendja. Nuk e kuptova menjëherë se ishte tërmet, pasi nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë. Sapo kuptuam çfarë po ndodhte, dolëm menjëherë jashtë.”

Tërmeti u ndje gjithashtu edhe në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, përfshirë shtetin e Floridës. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS), Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe Qendra Gjermane e Kërkimeve të Gjeoshkencave (GFZ) vlerësuan magnitudën e tërmetit në 6.1.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale.

Scroll to Top