Në një vit, 33 mijë të rinj më pak, ndërsa të moshuarit mbi 85 vjeç shtohen me 8.3%
Vendi po përballet me një tkurrje dhe plakje të shpejtë të popullsisë, me ndryshime të theksuara çdo vit. Sipas shifrave zyrtare, më 1 janar 2026, numri total i banorëve ka pësuar një rënie prej mbi 27 mijë personash brenda një viti, duke u reduktuar me 1.2%. Megjithatë, pesha e moshave të reja po zvogëlohet ndjeshëm, ndërsa numri i të moshuarve po rritet, veçanërisht në grupmoshat më të larta. Balanca demografike po anojë gjithnjë e më shumë drejt grupmoshave të thyer.
Të dhënat tregojnë se grupmosha më e re, ajo nga 0 deri në 4 vjeç, ka pësuar një tkurrje prej 2.3%, duke u pakësuar me rreth 2,477 fëmijë vetëm në vitin 2025. Ky trend negativ thellohet edhe më tej tek moshat e reja dhe ato në prag të hyrjes në tregun e punës. Rëniet më të mëdha vjetore janë regjistruar tek të rinjtë e moshës 25-29 vjeç, me një tkurrje prej 4.4% (rreth 5,955 persona më pak), si dhe tek grupmosha 30-34 vjeç, e cila ka shënuar tkurrjen më të fortë me 4.7% (6,853 individë më pak).
Kjo rënie e moshës aktive për punë dhe e çifteve të reja reflekton jo vetëm rënien e lindshmërisë, por edhe ndikimin e vazhdueshëm të emigracionit të moshave produktive. Popullsia që përfaqëson grupmoshat e reja 0-34 vjeç ka pësuar rënie me 33 mijë persona vetëm në një vit, një numër i barabartë me madhësinë e bashkisë Kurbin.
Në krahun tjetër, procesi i plakjes së popullsisë po ecën me hapa të shpejtë, ku rritja më e madhe po vërehet te shtresat më të moshuara të shoqërisë. Ndërsa pothuajse të gjitha grupmoshat nën 65 vjeç po shënojnë rënie, ato më të thyerat po shtohen me ritme të larta. Numri i personave të moshës 70-74 vjeç është rritur me 6.0%, ndërsa grupmosha 75-79 vjeç ka pësuar një rritje të fortë prej 8.3% vetëm në vitin 2025.
Përveç plakjes së brezit të “bumit të lindjeve”, rritja e jetëgjatësisë po ndikon në shtimin e personave të moshuar. Të dhënat zyrtare tregojnë se grupmoshat mbi 85 vjeç janë shtuar me 8.3% brenda vitit 2025. Numri i personave të moshës mbi 85 vjeç nga 39,996 në vitin 2024 arriti në 43,323 individë vitin e kaluar, duke shtuar 3,327 të moshuar.
Kjo rritje e moshës së thyer, e kombinuar me zbrazjen e bazës së të rinjve, paralajmëron sfida të mëdha, duke filluar nga rritja e kostove për kujdesin shëndetësor dhe shërbimet sociale. Efekti më i drejtpërdrejtë po ndihet në tregun e punës. Me tkurrjen e fortë të grupmoshave kryesore produktive dhe riprodhuese, sipërmarrjet dhe institucionet do të përballen me një mungesë akute të krahut të punës, forcës inovatore dhe profesionistëve të rinj. Kjo po detyron shumë sektorë të mbështeten te një forcë pune më të moshuar ose të kërkojnë zgjidhje alternative përmes automatizimit dhe importit të punëtorëve të huaj.
