641 mijë € për Reformën Hekurudhore të Shqipërisë

Lidhet Kontrata 641 Mijë Euro për Mbështetjen e Reformës Hekurudhore

Qeveria shqiptare ka nënshkruar një kontratë me vlerë 641 mijë euro për të mbështetur zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Europian në sektorin hekurudhor.

Sipas njoftimeve të publikuara në platformën europiane të prokurimeve TED dhe më pas në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë muajit qershor, kontrata iu dha një konsorciumi të udhëhequr nga EPTISA Southeast Europe, me bazë në Serbi, në partneritet me EPTISA Servicios de Ingeniería SL nga Spanja.

Projekti financohet nga programi IPA III i Bashkimit Europian dhe synon përafrimin e politikave dhe legjislacionit shqiptar në fushën hekurudhore me acquis-in e BE-së. Kontrata parashikon mbështetje për hartimin e kuadrit ligjor hekurudhor, si dhe forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të institucioneve të tjera shqiptare të sektorit.

Afati i zbatimit të projektit është 15 muaj. Fituesi u përzgjodh më 27 shkurt 2026, ndërsa kontrata u nënshkrua më 19 mars 2026. Në procedurë u paraqitën gjashtë oferta.

Paralelisht me plotësimin e aspektit ligjor, në vend po zbatohen disa projekte hekurudhore. Që prej vitit 2021 ka nisur projekti për linjën Tiranë–Durrës dhe lidhjen me Aeroportin e Rinasit. Një tjetër projekt është rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës Vorë–Hani i Hotit, në kufi me Malin e Zi. Ky projekt, që përfshin rreth 120 kilometra linjë hekurudhore, mbështetet me një kredi sovrane deri në 98.75 milionë euro. Projekti konsiderohet mjaft i rëndësishëm pasi është pjesë e zgjatimit të korridorit mesdhetar të rrjetit TEN-T, duke lidhur Shqipërinë me rrjetin hekurudhor europian.

Në të njëjtën kohë, po vijon procedura për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë, e cila pritet të financohet nga burime kombëtare, kredi nga BEI dhe BERZH, si dhe grante nga WBIF.

Scroll to Top