Falja e Gjobave Tatimore: Afat deri 30 Qershor 2026

Tatimet: Afat deri më 30 qershor 2026 për deklaratat e padorëzuara, përfitohet falja e gjobave

Administrata Tatimore ka njoftuar se data 30 Qershor 2026 është afati i fundit për dorëzimin e deklaratave tatimore të padorëzuara, për të përfituar nga falja e gjobave. Kjo lehtësi i referohet deklaratave të padorëzuara deri më 31 Dhjetor 2024.

Sipas njoftimit, “Tatimpaguesit që kanë deklarata tatimore të padorëzuara për periudha deri më 31.12.2024 kanë kohë deri më 30 Qershor 2026 për t’i dorëzuar dhe për të përfituar nga fshirja e gjobave për mosdeklarim në afat. Kujdes! Tatimpaguesit që nuk respektojnë afatin ligjor do të humbasin të drejtën për të përfituar nga kjo lehtësi e parashikuar në ligj”.

Me zbatimin e ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, bizneset, përveç faljes së gjobave për deklarim të vonuar, do të përfitojnë edhe falje të gjobave për një sërë shkeljesh të tjera administrative të vendosura automatikisht deri më 31 dhjetor 2024.

Përfaqësues të Administratës Tatimore, gjatë një takimi me bizneset, kanë shpjeguar se ligji për faljen e detyrimeve do të fshijë një sërë gjobash të vendosura automatikisht deri më 31 dhjetor 2024. Këto përfshijnë gjobat për pajisjet fiskale, moslëshimin e kuponit tatimor, mosdeklarimet në afat, si edhe gjobat e vendosura nga inspektorët.

Gjithashtu, me zbatimin e ligjit do të falen edhe dënimet administrative (gjobat) automatike për mosdeklarim në afat, si dhe dënimet që lidhen me afatet e deklarimit të të punësuarve.

Lista e gjobave që përfitojnë nga falja përfshin gjithashtu gjobat për dorëzimin me vonesë të vendimit të ortakut, si dhe ato për dorëzimin e vonuar të pasqyrave financiare për periudhat e llogaritura deri më 31 dhjetor 2024.

Scroll to Top