VIDEO/ Granit Xhaka bën “shqiponjën” para kamerave në SHBA, zviceranët përsëri të nxehtë
Fillimi i Kupës së Botës 2026 duket se sjell sërish polemika për Zvicrën, dhe sërish për simbolin e “shqiponjës”, këtë herë nga futbollistët me origjinë shqiptare të kombëtares helvetike, konkretisht nga Granit Xhaka.
Të shtunën, disa futbollistë të Zvicrës ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen e bejsbollit mes San Diego Padres dhe New York Mets. Në momentin që kamerat fokuan lojtarët, Xhaka bëri me duar simbolin e shqiponjës. Pjesë e këtij veprimi ishte edhe mbrojtësi Rikardo Rodriguez, i cili duket se kopjoi kapitenin.
Pamje të tilla kanë rindezur debatet rreth futbollistëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën, duke rikujtuar ngjarjet e Kupës së Botës 2018, pas ndeshjes kundër Serbisë. Kaosi që shpërtheu pas festimeve të Xhakës, Shaqirit dhe Lihtshtajnerit ishte kaq i madh sa Sekretari i Federatës Zvicerane të Futbollit u detyrua të jepte dorëheqjen.
Megjithatë, Federata këtë herë duket se është përpjekur ta minimizojë situatën.
“Edhe gjatë ndeshjes miqësore kundër Australisë, zhvilluar në San Diego, shumë persona me origjinë shqiptare ishin në stadium dhe mbështetën me zë të lartë Granitin dhe ekipin zviceran. Granit Xhaka, si shumë lojtarë të tjerë, u ndal pas ndeshjes për të dhënë autografe dhe për të bërë selfie. Në mbrëmje, ai shfrytëzoi rastin për të përshëndetur përsëri komunitetin shqiptar. Ky veprim nuk ndodhi gjatë aktivitetit sportiv dhe nuk ishte pjesë e tij”, shpjegoi zëdhënësi Adrian Arnold, duke u shprehur se qëllimi ishte të qetësonte polemikat që kanë shpërthyer në Zvicër.
