BSH & Qendra Financiare: Bashkëpunim për Mbikëqyrje Bankare

BSH dhe Qendra e Ekselencës Financiare diskutojnë bashkëpunimin në mbikëqyrjen bankare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Drejtoren e Qendrës së Ekselencës Financiare (CEF), Jana Repanšek, e cila ka qendrën në Lubjanë, Slloveni. Ajo u shoqërua nga Robertina Gjoka Vasilieva, Menaxhere për Shqipërinë.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe CEF-it në kuadër të zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimit të njohurive.

Znj. Repanšek vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në aktivitetet e institucionit. Ajo theksoi se gjatë dy viteve të fundit, ekspertët dhe punonjësit e Bankës kanë regjistruar mbi 55 pjesëmarrje në programet kryesore të CEF-it, si në cilësinë e ekspertëve, ashtu edhe të pjesëmarrësve. Sipas saj, kjo dëshmon përkushtimin e institucionit ndaj zhvillimit të vazhdueshëm të kapaciteteve dhe shkëmbimit rajonal të njohurive.

Palët diskutuan mbi mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes bankare. Në këtë kontekst, u vlerësua roli aktiv i Bankës së Shqipërisë si kontribuuese në shkëmbimin e përvojave profesionale. U diskutua gjithashtu mundësia e organizimit në të ardhmen të aktiviteteve trajnuese dhe shkëmbimit të eksperiencave mes institucioneve homologe në rajon.

Takimi shërbeu gjithashtu për koordinimin e qëndrimeve përpara Mbledhjes Vjetore të Bordit Drejtues të CEF-it, e cila do të zhvillohet më 22 qershor 2026 në Shkup. Në fokus të diskutimeve ishin prioritetet strategjike të CEF-it, sfidat e financimit të aktiviteteve të tij dhe kontributi i vendeve anëtare në vazhdimësinë e mbështetjes ndaj institucionit.

Guvernatori Sejko rikonfirmoi mbështetjen e Bankës së Shqipërisë për misionin e CEF-it në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal. Ai vlerësoi rolin e këtij institucioni në mbështetjen e reformave, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira ndërmjet institucioneve publike të rajonit.

Scroll to Top