Irani me dorë të hekurt: Ekzekutohet një person i dyshuar për spiunazh
Irani ka ekzekutuar Hossein Pedaran, një shtetas iranian i dënuar për spiunazh dhe për dhënien e informacioneve të klasifikuara agjencisë së inteligjencës izraelite, Mossad.
Konfirmimi i ekzekutimit u bë nga Mizan, agjencia e lajmeve e lidhur me Gjyqësorin iranian. Sipas Mizan, dënimi me vdekje u zbatua pasi përfunduan të gjitha procedurat ligjore dhe vendimi u miratua nga Gjykata Supreme.
Autoritetet iraniane deklaruan se Pedaran dyshohej se kishte bashkëpunuar me Mossad-in dhe i kishte përcjellë informacione të ndjeshme lidhur me objekte ushtarake dhe raketore në qytetin Isfahan. Informacionet e dhëna shërbimit izraelit përfshinin të dhëna për aktivitetet raketore, objektet ushtarake, si dhe identitetet dhe të dhënat personale të disa anëtarëve të personelit.
Mizan raportoi se Pedaran fillimisht kishte tentuar të kontaktonte Agjencinë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) për bashkëpunim, por nuk kishte marrë përgjigje. Më pas, sipas versionit të autoriteteve iraniane, ai vendosi të kontaktonte Mossad-in dhe nisi bashkëpunimin me agjencinë izraelite.
Gjyqësori iranian pretendon se Pedaran ishte trajnuar nga një oficer i Mossad-it për mënyrën e dërgimit të raporteve dhe përdorimin e komunikimeve të enkriptuara. Ai kishte marrë gjithashtu pagesa në euro për informacionet e përcjellë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet iraniane thanë se gjetën një bllok shënimesh me informacione “shumë konfidenciale” lidhur me çështje raketore. Gjithashtu, u sekuestruan pajisje për ruajtjen e të dhënave të enkriptuara dhe një pajisje për fotografim dhe regjistrim fshehtë.
Autoritetet iraniane deklaruan gjithashtu se disa nga objektet ushtarake për të cilat Pedaran dyshohet se i kishte dhënë informacion Mossad-it u goditën gjatë një lufte 12-ditore. Sipas Gjyqësorit iranian, sulmet shkaktuan viktima dhe të plagosur mes punonjësve të këtyre objekteve.
Ekzekutimi i Pedaran u njoftua nga autoritetet iraniane në një periudhë tensionesh të larta me Izraelin. Gjyqësori iranian ka akuzuar në raste të ndryshme persona për bashkëpunim me shërbimet izraelite të inteligjencës.
