Goretzka i pakënaqur edhe te Gjermania, nuk i pëlqen roli që i ka zgjedhur Nagelsman
Leon Goretzka shpreson t’i lërë pas dy zhgënjimet e fundit në Kupën e Botës deri në vitin 2026, por pozicioni i tij si titullar nuk është sipas dëshirës së tij. Siç duket, Leon Goretzka do të ketë një rol më pak të rëndësishëm në ndeshjen hapëse të Gjermanisë në Kupën e Botës sesa ishte parashikuar disa muaj më parë.
Në një intervistë të gjerë për revistën “Kicker”, trajneri Julian Nagelsman, i cili e kishte lënë jashtë kombëtares për Kampionatin Europian 2024, i kishte premtuar lojtarit një vend të rregullt si titullar. Megjithatë, ky premtim nuk u mbajt në ndeshjet miqësore kundër Finlandës (4-0) dhe SHBA (2-1).
Edhe si lojtar i stolit, misioni i Goretzkës është i qartë: ai dëshiron të tregojë një anë tjetër të vetes me kombëtaren gjermane, duke u distancuar nga Kupat e Botës zhgënjyese të viteve 2018 dhe 2022, ku luajti gjithsej katër ndeshje.
“Sigurisht, dua t’i rregulloj gjërat,” tha ish-lojtari i Bayernit për faqen e FIFA-s, duke u shprehur kryesisht i shqetësuar për tifozët. “Ndjej që entuziazmi, afërsia me tifozët dhe mbështetja e tyre nuk janë më në atë nivelin e mëparshëm. E kemi humbur pak këtë dhe natyrisht duam ta fitojmë sërish. Kjo është në fakt motivimi im më i madh personal dhe e gjithë skuadra ndan të njëjtin ndjenjë,” siguron Goretzka.
Përvojat e fundit në Kupën e Botës kanë bërë që Gjermania të hyjë në turneun aktual e renditur e dhjeta në botë dhe si rrjedhojë, me një status më të dobët si pretendente. Goretzka pranon:
- “Nuk ndihemi si një nga favoritët kryesorë. Duhet të jemi të sinqertë për këtë.”
Ky është një rol që atij nuk i pëlqen veçanërisht. “Për të qenë i sinqertë, do të preferoja të ishim favoritët kryesorë. E njoh mirë këtë ndjenjë nga klubi im dhe atëherë ke shansin më të madh për të fituar. Megjithatë, duke marrë parasysh vitet e fundit, thjesht nuk do të ishte e përshtatshme të quheshim favoritë për titullin e Kupës së Botës tani. Dhe roli që kemi tani nuk është aspak i keq, dhe sapo ta pranosh, mund të marrësh forcë prej tij.”
Goretzka shton:
- “Nëse arrijmë të rritemi si skuadër gjatë turneut, atëherë nuk ka kufij për ne.”
KLAJDI BAJO – PANORAMASPORT.AL
