Rafinja pranë largimit, ofertë marramendëse për brazilianin dhe Barcelonën
Klubet arabe janë gati të bëjnë çmendur për brazilianin Rafinja, lojtar i Barcelonës. Futbollisti shihet si një nga elementët e rëndësishëm të skuadrës, por oferta që i ka mbërritur atij dhe klubit kohët e fundit mund të ndryshojë gjithçka.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Al Nasr dhe Al Hilal janë të gatshme të afrojnë futbollistin gjatë merkatos së verës me shifra që do të ishin shumë të leverdishme për të gjithë palët.
Barcelonës i janë ofruar 80 milionë euro për kartonin e lojtarit, shumë që do të ndihmonin katalanasit të zgjidhnin shumë nga telashet financiare me të cilat përballen. Ndërkohë, futbollistit raportohet se i është ofruar katërfishi i rrogës neto që përfiton aktualisht në Spanjë, një mundësi ekonomike që është e vështirë të refuzohet.
Kështu, duke marrë parasysh që futbollisti ka shfaqur shpesh pakënaqësi dhe dyshime rreth të ardhmes së tij, nuk është aspak çudi që palët të ndajnë rrugët në javët në vijim.
