Sulme në Lindjen e Mesme: SHBA kundër Iranit, alarm në Jordani

Lindja e Mesme përfshihet nga sulme përgjatë gjithë natës! Bombardohen bazat dhe rrjetet e ujit, disa shtete ngrenë ushtrinë në alarm

Një valë e ashpër sulmesh ka përfshirë të gjithë Lindjen e Mesme gjatë natës, duke shuar shpresat për paqe dhe duke ngritur pyetje serioze në nivel ndërkombëtar mbi respektimin e armëpushimeve në rajon.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar zyrtarisht se ka ndërmarrë “sulme vetëmbrojtëse” ndaj Iranit. Ky reagim i Uashingtonit erdhi pas rrëzimit të një helikopteri luftarak Apache amerikan në rajon.

Në një deklaratë zyrtare, SHBA-të pretendojnë se kanë goditur mbrojtjen ajrore iraniane, stacionet e kontrollit tokësor dhe radarët e mbikëqyrjes. Mediat shtetërore iraniane, nga ana tjetër, raportojnë për shpërthime të fuqishme që kanë tronditur zonën e Sirikut dhe qytetin Bandar Abbas. Sipas Teheranit, sulmet amerikane kanë dëmtuar edhe infrastrukturën civile, duke përfshirë dy impiante të desalinizimit të ujit dhe rezervuarin kryesor të ujit të qytetit.

Kundërpërgjigjja e Teheranit ka qenë e menjëhershme. Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) kanë deklaruar se kanë sulmuar Flotën e Pestë të Amerikës me bazë në Bahrein, duke përdorur dronë kamikazë dhe raketa me rreze të gjatë veprimi drejt bazës ajrore Al-Azraq në Jordani, ku janë të stacionuar avionë luftarakë amerikanë.

Autoritetet e Jordanisë njoftuan se mbrojtja e tyre ajrore arriti të rrëzonte pesë raketa iraniane dhe se nga rënia e mbetjeve nuk pati të lënduar apo dëme materiale.

Situata dramatike ka vënë në alarm edhe shtetet e tjera të rajonit. Kuvajti njoftoi zyrtarisht se ka aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore gjatë natës, pasi territori i tij u godit nga Irani. Kuvajti është shënjestruar vazhdimisht gjatë kësaj periudhe tensioni, duke përfshirë edhe goditjen e aeroportit të tij ndërkombëtar në fillim të muajit.

Rajoni tashmë ndodhet në prag të një përshkallëzimi ushtarak me pasoja të paparashikueshme.

Scroll to Top