Turizmi në Shqipëri: Të huajt shpenzojnë mbi 1 miliard euro

Të huajt shpenzuan mbi 1 miliard euro në Shqipëri në tremujorin e parë të vitit

Tre muajt e parë të këtij viti shënuan një nivel rekord të ardhurash nga shtetasit e huaj që udhëtuan në Shqipëri. Nga ana tjetër, edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit arritën shifra të papara deri më tani.

Të dhënat nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2026, shpenzimet e të huajve që udhëtuan në Shqipëri arritën në total 1 miliard e 4 milionë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas vitit 1990 dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik gjatë këtij viti.

Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të dhëna të tjera nga INSTAT bënë të ditur se në tre muajt e parë të vitit, në vend hynë 1.67 milionë shtetas të huaj, duke shënuar një rritje minimale prej 3.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ecuria më e ulët u ndikua nga dy muajt e parë të vitit: në janar hyrjet ranë me 1.5%, ndërsa në shkurt u rritën vetëm me 0.03%, të ndikuara edhe nga moti i pafavorshëm. Në mars, turizmi filloi të gjallërohej, me hyrjet që u rritën me 10.8%.

Edhe shqiptarët shpenzojnë jashtë vendit

Më shumë të huaj po vijnë në vend, por gjithashtu edhe më shumë shqiptarë po zgjedhin të udhëtojnë jashtë vendit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për tre muajt e parë të vitit, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtimet jashtë ishin 579 milionë euro, me një rritje prej 11.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tre muajt e parë të vitit u shënuan gati 2 milion dalje të shtetasve shqiptarë, me një rritje prej 5.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shqipërisë i mbeten 363 milionë euro nga turizmi

Edhe pse të huajt kanë shtuar shpenzimet në Shqipëri, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me shtetasit shqiptarë që udhëtojnë jashtë. Megjithatë, më shumë para kanë mbetur në vend. Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i udhëtimeve, që mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe shqiptarëve jashtë, ishte 363 milionë euro në tremujorin e parë të vitit.

Që prej vitit 2015, Shqipëria ka një bilanc pozitiv të udhëtimeve, i cili është duke u rritur vit pas viti.

Scroll to Top