Pas përplasjeve mes anëtarëve të FRPD-së dhe “Lëvizjes Bashkë”, Berisha u jep porosi mbështetësve: Shkoni në protestë, por pa simbole të PD-së!
Pas tensioneve të shfaqura mes anëtarëve të FRPD-së (Forumi Rinor i Partisë Demokratike) dhe përfaqësuesve të “Lëvizjes Bashkë”, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka dërguar një porosi mbështetësve të tij.
“Shkoni në protestë, por pa simbolet e PD-së”, u bëri thirrje Berisha mbështetësve të tij.
Tensionet u shfaqën dy ditë më parë, gjatë nisjes së një proteste. Qytetarët i kërkuan përfaqësuesve të FRPD-së të largoheshin nga tubimi, duke theksuar se nuk dëshironin asnjë lloj përfaqësimi politik. Në këtë kontekst, deputeti i “Lëvizjes Bashkë”, Redi Muçi, u akuzua se po pengonte protestën.
Sali Berisha komentoi ngjarjen duke u shprehur:
“Ajo kërkesë e qytetarëve për largimin e tij është kërkesa më legjitime. Ndaj dhe çdo demokrat dhe çdo mbështetës i jonë duhet ta mbështesë protestën me të gjitha mënyrat. Këtë herë duhet ta mbështesë pa simbolet e partisë. Le të jenë të rinjtë, sepse është protestë qytetare, rinore. Ndaj dhe ftesa ime është që çdo mbështetës, çdo simpatizant, çdo anëtar i Partisë Demokratike duhet të jetë në protestë. Do të jetë protesta më rinore, më qytetare që ka parë vendi deri më sot. Kështu është. Disa slogane, të opozitës së opozitës, veglës së qeverisë, janë klithma mjerane. Klithma mjerane. As, i shumëzoni me zero… i shumëzoni me zero! Më kujtojnë fjalën e filozofit iluminist francez Diderot, i cili thotë diku: ‘I shëmbëllen mizës, që ka hyrë tek bualli dhe mendon se tërheq karrocën’. Aty bualli është populli, janë qytetarët, janë të rinjtë shqiptarë, janë ata të cilët kanë kërkesat më të drejta që i ka paraqitur kushdo ndonjëherë: largimin e Edi Ramës. Edi Rama është një armik i egër, është një barbar i mjedisit në Shqipëri dhe i trashëgimisë kulturore.”
