“`html
Golemi kryeson rritjen e kërkesës dhe ofertës për qira ditore, duke u shfaqur si destinacioni më i shtrenjtë në mars.
Golemi ka rezultuar të jetë tregu me zgjerimin më të shpejtë në sektorin e apartamenteve turistike në Shqipëri, sipas të dhënave të AirDNA. Në muajin mars, ky destinacion ka regjistruar rritjen më të lartë të kërkesës dhe një nga normat më të forta të zgjerimit të ofertës në vend.
AirDNA, një kompani që analizon të dhënat për qiratë afatshkurtra në platforma si Airbnb dhe Vrbo, tregon se ndërsa Vlora vazhdon të jetë tregu më i madh i akomodimit afatshkurtër me mbi 10,000 listime aktive në muaj dhe Tirana renditet e dyta me më shumë se 5,000, ritmet më të larta të rritjes janë zhvendosur drejt Golemit dhe Durrësit.
Numri i listimeve në Golem u rrit me 34% në 12 muajt deri në mars 2026, duke përfaqësuar zgjerimin më të shpejtë të ofertës ndër tregjet kryesore turistike të vendit. Kjo do të thotë se numri i apartamenteve që jepen me qira në Golem ka arritur në rreth 1,400 në mars 2026, nga 1,043 në të njëjtin muaj të vitit paraprak. Në të njëjtën periudhë, netët e qëndrimit në këtë treg u rritën me 45%, duke shënuar normën më të lartë të regjistruar në nivel kombëtar. AirDNA e lidh këtë zhvillim me hyrjen e njësive të reja në treg dhe zgjerimin e inventarit të disponueshëm për turistët.
Golemi nuk kryeson vetëm në ritmin e rritjes. Tregu rezulton gjithashtu me çmimin mesatar më të lartë për natë në Shqipëri, rreth 67.4 euro, pak më i lartë se Vlora, me 66.6 euro. Megjithatë, në Golem, çmimi mesatar i qirasë ka pësuar një rënie krahasuar me marsin e një vit më parë, kur ishte 72.1 euro. Në të kundërt, është rritur qiraja ditore në Durrës, në 62.8 euro, nga 59.3 euro në mars 2025. Durrësi regjistroi gjithashtu një rritje të ofertës me 28%, ndërsa Shëngjini dhe Shkodra raportuan zgjerim të kërkesës me mbi 30%.
Vlora mbetet tregu më i madh për nga inventari, me mbi 10,000 listime aktive në muaj. Tirana ruan një pozicion të fortë në treg përmes normës më të lartë të zënies, rreth 59%, ndërkohë që ka rreth 5,300 njësi të listuara për qira ditore. Kryeqyteti shqiptar është ndër më të lirët, me një çmim mesatar qiraje prej 42.6 euro në natë (nga 43.2 euro në mars 2025).
Golemi dhe turizmi i organizuar
Rajoni i Golemit, përveç rritjes së shpejtë të apartamenteve me qira ditore, është zona me strukturat hoteliere që kanë zhvilluar turizmin e organizuar për më shumë se një dekadë, duke u bërë segmenti më i qëndrueshëm në vend. Ky turizëm zhvillohet kryesisht gjatë periudhës maj-shtator, kur agjencitë e huaja sjellin grupe të organizuara turistësh me paketa “all inclusive”, “half board” ose vetëm “fjetje dhe mëngjes”. Gjatë pjesës tjetër të vitit, Golemi frekuentohet nga turistë individualë, kryesisht nga Kosova, Italia dhe vizitorë të tjerë.
“`
