Tenderi i Thesarit 7.5M €: Ankim i Ri në KPP

Titulli: Tenderi 7.5 milionë euro i Thesarit kthehet sërish në KPP pas një ankese të re

Procedura e prokurimit me vlerë rreth 7.5 milionë euro, e cila synon përmirësimin e Sistemit të Thesarit të Shtetit, është ankimuar sërish në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP). Ky veprim riktheu për shqyrtim një nga tenderët më të mëdhenj të teknologjisë së informacionit në administratën publike.

Kjo procedurë rezulton ndër më të hershmet që ende ndodhet në fazat e ankimimit, pasi data e hapjes së saj ishte dhjetori 2024, ndërsa shpallja e parë e një fituesi u bë në mes të vitit 2025. Të dhënat e publikuara në sistemin e Komisionit tregojnë se ankesa e depozituar së fundmi është regjistruar në kategorinë “Tjetër”. Ajo nuk është klasifikuar si ankim për vlerësimin e ofertave apo për dokumentacionin e tenderit, të cilat janë përpunuar më herët.

Procedura është një nga të shumtat të ankimuara dy vitet e fundit, të cilat lidhen me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe u hap në fund të vitit 2024.

Çfarë parashikon procedura në fjalë:

Tenderi synon modernizimin e Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), i cili shërben si platforma kryesore për administrimin e proceseve financiare dhe të thesarit të shtetit. Sipas dokumenteve të procedurës, projekti parashikon përmirësimin e infrastrukturës hardëare dhe softëare, me qëllim rritjen e performancës, sigurisë dhe efikasitetit të sistemit ekzistues.

Një nga komponentët kryesorë të kontratës është përditësimi i platformës Oracle E-Business Suite nga versioni R12 (12.1.3) në Oracle E-Business Suite R12 (12.2.13), në gjuhën shqipe dhe angleze. Projekti përfshin gjithashtu migrimin e të dhënave historike, ruajtjen e të gjitha kostumizimeve dhe personalizimeve të ndërtuara në sistemin aktual, si dhe integrimin e tyre në versionin e përmirësuar.

Dokumentet teknike kërkojnë furnizimin, instalimin dhe konfigurimin e infrastrukturës së re hardware, përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe operacional, trajnimin e përdoruesve sipas metodës “Trajno Trajnuesit”, si dhe testimin e plotë të sistemit para vënies në funksion. Kontrata përfshin gjithashtu shërbime mirëmbajtjeje pas implementimit.

Sipas specifikimeve të publikuara nga autoriteti kontraktor më herët, sistemi i përmirësuar duhet të jetë në përputhje me kërkesat ligjore për administrimin e bazave shtetërore të të dhënave, duke garantuar disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencialitetin e informacionit. Projekti është planifikuar të zbatohet në disa faza përgjatë një periudhe 18-mujore.

Scroll to Top