SHBA-të kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit, jo Irani: Trump zbulon operacionin sekret, mbi 100 milionë fuçi naftë u transportuan në mënyrë të sigurt
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se ushtria amerikane kreu një mision sekret muajin e kaluar për të mbrojtur cisternat e naftës dhe anijet e tjera tregtare që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ai pretendoi se ky operacion lejoi transportimin e më shumë se 100 milionë fuçive naftë drejt tregjeve ndërkombëtare.
Në një postim në platformën Truth Social, Donald Trump sqaroi se muajin e kaluar ai urdhëroi ushtrinë amerikane të zhvillonte një mision sekret me qëllim mbrojtjen e cisternave të naftës dhe anijeve të tjera tregtare që lundronin nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kjo ngushticë konsiderohet si një nga korridoret më të rëndësishme të transportit detar të energjisë në botë.
Trump theksoi se operacioni rezultoi në kalimin e sigurt të më shumë se 100 milionë fuçive naftë, të cilat më pas arritën në tregun ndërkombëtar, ndërsa mbi 200 anije tregtare kryen kalimin e tyre pa incidente.
“Muajin e kaluar, unë udhëzova forcat kryesore ushtarake amerikane të kryenin një mision të fshehtë për të mbështetur anijet cisternë të naftës dhe anijet e tjera tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit. Sot, jam i kënaqur të njoftoj se kjo përpjekje ka rezultuar në kalimin e më shumë se 100 milionë fuçive naftë nëpër Ngushticë dhe arritjen në tregun e hapur,” shkroi presidenti amerikan.
Trump ia atribuoi suksesin e operacionit kontrollit që, sipas pretendimit të tij, Shtetet e Bashkuara ushtrojnë në rajon. “Kjo përpjekje jashtëzakonisht e suksesshme është për shkak të faktit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit, jo Irani,” tha ai.
Në të njëjtin postim, ai drejtoi kritika ndaj Teherani, duke pretenduar se ushtria iraniane është mundur dhe se ekonomia e vendit është shembur. “Ushtria e tyre është mundur dhe ekonomia e tyre është shkatërruar. Për Iranin, gjithçka ka mbaruar,” përfundoi presidenti amerikan mesazhin e tij, duke shtuar: “Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje.”
