Turistë të Huaj Dominon Airbnb Shqiptare: Franca në Krye

Francezët kryesojnë Airbnb-t shqiptare, 97% e netëve të qëndrimit vijnë nga të huajt

Vizitorët e huaj dominojnë pothuajse tërësisht tregun e akomodimit afatshkurtër në Shqipëri, ndërsa Franca rezulton vendi me peshën më të madhe në netët e qëndrimit të rezervuara përmes platformave Airbnb dhe Vrbo.

Sipas të dhënave të AirDNA (një kompani analize të dhënash për qiratë afatshkurtra në platformat Airbnb dhe Vrbo) të vëna në dispozicion për “Monitor”, 97% e të gjitha qëndrimeve në apartamente turistike gjatë 12 muajve të fundit janë realizuar nga vizitorë të huaj.

Analiza e origjinës së turistëve, bazuar në vlerësimet e përdoruesve të Airbnb, tregon se Franca përbën tregun më të madh të huaj për Shqipërinë, me 18% të netëve të qëndrimit. Ky grup ka pasur një rritje të dukshme sidomos vitin e kaluar, duke u reflektuar edhe këtë vit. Madje, për herë të parë këtë verë, francezët po vijnë me kontrata garancie dhe në formë të organizuar në rajonin e Golemit dhe Durrësit.

Gjermania renditet e dyta me 14%, ndërsa Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë 12% të kërkesës totale. Mbretëria e Bashkuar zë 11%, ndërsa Holanda 4%. Pesë tregjet kryesore përfaqësojnë së bashku gati 60% të të gjitha qëndrimeve të realizuara nga turistët e huaj në Shqipëri gjatë vitit të fundit.

Të dhënat historike tregojnë gjithashtu një ndryshim gradual të përbërjes së kërkesës ndërkombëtare. Gjatë pesë viteve të fundit është rritur pesha e turistëve që vijnë nga Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Holanda. Në të kundërt, pjesa e tregut e përfaqësuar nga vizitorët amerikanë rezultoi më e lartë gjatë vitit 2021, menjëherë pas pandemisë, përpara se të zbriste gradualisht në vitet pasuese.

Sipas AirDNA, Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht te kërkesa ndërkombëtare në sektorin e akomodimit afatshkurtër, me një pjesëmarrje shumë të kufizuar të tregut vendas. Shifrat e vitit të fundit tregojnë se pothuajse e gjithë kërkesa në platformat Airbnb dhe Vrbo gjenerohet nga vizitorë të huaj, ndërsa tregjet e Evropës Perëndimore përbëjnë pjesën më të madhe të netëve të qëndrimit në vend.

Ky zhvillim vjen në një periudhë kur Shqipëria ka regjistruar zgjerim të vazhdueshëm të ofertës turistike dhe rritje të kërkesës në tregun e akomodimit afatshkurtër, duke u renditur ndër tregjet me ritmet më të larta të zgjerimit në rajonin e Ballkanit. / N.Maho

Scroll to Top