Kryeministri Edi Rama reagon për protestat dhe thirrjet për burgosje: “Koha e linçimeve me turma ka vdekur përfundimisht”
Kryeministri Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ka komentuar protestat dhe kërkesat e qytetarëve. Lidhur me thirrjet e dëgjuara në protestë, si “Rama në burg, Berisha në burg”, kreu i qeverisë deklaroi: “Nuk dua të bëj komente, por dua të them që koha kur njerëzit linçoheshin me turma ka vdekur njëherë e mirë.”
Pyetjes nëse pajtohet me ndonjë nga kërkesat e qytetarëve dhe nëse kanë të drejtë ata kur ngrenë shqetësime për shëndetësinë, mungesën e ujit e dritës 24 orë dhe rritjen e shifrave të largimeve, Rama u përgjigj:
- Për largimet: “Kjo e fundit është e pavërtetë, shifrat tregojnë të kundërtën: jo rritje, por zbutje të tendencës mes ikjeve dhe kthimeve.”
- Për shëndetësinë: “Këto (shqetësimet për shëndetësinë) tregojnë që ka ende punë për të bërë.”
- Për ujin dhe dritën: “Ujë e drita 24 orë ka, siç nuk ka pasur asnjëherë në këtë vend, por ka ende zona që kanë nevojë për t’i pasur 24 orë, dhe ndaj ne vazhdojmë punën për t’i realizuar ato.”
I pyetur për kohën e nevojshme për të përmbushur këto objektiva, Rama tha: “Mesa di unë mandati mbaron në 2029, do bëhet bilanci dhe do të jetë populli që do japë votën e vetë.”
Lidhur me mundësinë që pas 13 vitesh kryeministri i vendit të pranojë se shëndetësia nuk është aty ku duhet, ai u shpreh: “S’ka nevojë të imagjinoj, kthej kokën pas, shikoj nga jemi nisur dhe mendoj që është Shqipëria më e mirë që kemi pasur ndonjëherë. E kam thënë dhe e përsëris që Shqipëria do të jetë më e mirë se kjo që kemi sot.”
