Ronaldo: Ky brez do t’i sjellë gëzim të madh Portugalisë, pavarësisht nëse do të jemi Kampionë të Botës…
Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka deklaruar të premten se po i drejtohet Kupës së Botës 2026 me një ndjenjë “mirëqenieje” dhe “shprese”, duke u shprehur i kënaqur me brezin aktual të lojtarëve. Ai nuk dëshiron të bëjë deklarata shumë të forta rreth një fitoreje eventuale në kampionat, duke theksuar se: “Ne do ta dimë vetëm në fund, nëse do të jemi apo jo Kampionë të Botës”.
Futbollisti i Al Nassr i bëri këto deklarata para gazetarëve, duke filluar me një qëndrim sfidues ndaj kritikëve të tij.
“Jemi shumë të emocionuar nga ajo që na pret. E dimë që Kupa e Botës është gjithmonë një turne i veçantë, ashtu si Kampionati Evropian, prandaj po i drejtohemi këtij Botërori me shumë shpresë. Fizikisht jam mirë, ju jeni ata që keni parë ndeshjet e mia. Do ta dimë vetëm në fund. Është një brez shumë i mirë, por, siç thashë, ka faktorë që nuk mund t’i kontrollojmë në ndeshje. Të fitosh apo të mos fitosh, kjo është pika më e rëndësishme. Por mendoj se është një brez që do t’i japë shumë gëzim portugezëve”, tha ai.
Kur gazetarët e pyetën sërish nëse e shihte të mundur që kombëtarja portugeze të fitonte titullin e vetëm që i mungonte në karrierën e tij, ai pranoi se e sheh si një mundësi: “Unë mendoj se po, por do të varet nga shumë faktorë”.
Në fund ai shtoi: “Gjëja më e rëndësishme është kur topi fillon të rrotullohet. Më vonë, pas ndeshjes së dytë apo të tretë, kur gjërat fillojnë të shtrëngohen, kur ka shumë lodhje, si psikologjike ashtu edhe fizike, atëherë do të shohim kampionët e vërtetë”.
