“`html
Kapiteni i Holandës, Van Dajk flet për Botërorin: Këtu, të gjithë kemi ëndrra të mëdha
Numërimi mbrapsht ka filluar për Holandën. Pas pak ditësh, “Portokallinjtë” do të zbresin në fushë për ndeshjen e parë në Kupën e Botës 2026. Kapiteni Virxhil van Dajk ka pranuar se skuadra ëndërron të shkojë shumë larg në turne.
“Nuk po shohim shumë larg, por të gjithë kemi ëndrra të mëdha,” deklaroi Van Dajk.
Holanda nuk pati përgatitjet më të mira para turneut. Skuadra e trajnerit Kuman u mposht 1-0 nga Algjeria në ndeshjen e lamtumirës para Botërorit, por më pas reagoi duke mposhtur Uzbekistanin me rezultat 2-1 në miqësoren e fundit.
Për Van Dajk, ky Botëror mund të ketë një domethënie të veçantë edhe në aspektin personal. Nëse Holanda arrin deri në finale dhe ai luan në çdo ndeshje, mbrojtësi i Liverpoolit do të regjistrojë paraqitjen e 100-të me fanellën e kombëtares.
“Kjo do të ishte shumë e veçantë. Sigurisht, nuk jam i fokusuar fare te kjo statistikë, por do të ishte një mënyrë e bukur për ta mbyllur,” tha 34-vjeçari me buzëqeshje.
Një tjetër temë që vazhdon të diskutohet në kampin holandez janë kushtet në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht temperaturat e larta dhe cilësia e fushave.
“Shpresoj që të gjitha fushat të jenë po aq të mira sa ajo ku u stërvitëm sot. Kjo ishte një problem që u pa edhe gjatë Kupës së Botës për Klube,” theksoi mbrojtësi holandez.
Holanda konsiderohet një nga kombëtaret që mund të surprizojë në Botërorin 2026, ndërsa kapiteni i saj beson se skuadra ka potencialin për të realizuar ëndrrat e mëdha që ka para nisjes së turneut. /Panorama Sport/
“`
