Netanyahu: Irani s’do armë bërthamore, ja ç’bëri Izraeli

“Misioni i jetës sime!”: Marrëveshja SHBA-Iran, Netanyahu: Derisa unë të jem kryeministër, Teherani nuk do të ketë armë bërthamore!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thyer heshtjen pas njoftimit të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme. Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë izraelite lëshoi një mesazh të qartë dhe sfidues, duke garantuar se Teherani nuk do të lejohet kurrë të posedojë armë bërthamore.

Përballë kritikave të forta brenda vendit lidhur me mënyrën e mbylljes së konfliktit, Netanyahu mbrojti fuqishëm rezultatet e fushatës ushtarake dhe e cilësoi këtë ndalim si misionin e jetës së tij.

“Me marrëveshje apo pa marrëveshje, Irani nuk do të ketë armë bërthamore as sot, as nesër. Për sa kohë që unë jam kryeministër i Izraelit, kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi ai prerë, duke shtuar se rreziku u neutralizua falë operacionit më të madh ofensiv në historinë e vendit.

Gjatë bilancit të tij, Netanyahu theksoi se Izraeli eliminoi udhëheqjen e regjimit, shkatërroi objektet bërthamore dhe fabrikat e raketave, si dhe asgjësoi marinën dhe forcën ajrore të Iranit, duke shkaktuar dëme në ekonominë e tyre të përllogaritura deri në 1 trilion dollarë.

Ai u shpreh se ky operacion e shpëtoi shtetin nga shkatërrimi, por paralajmëroi se përballja nuk ka përfunduar. Kryeministri konfirmoi se ushtria do të mbetet në “zonat e thella të sigurisë” të krijuara në Gaza, Liban dhe Siri për aq kohë sa të jetë e nevojshme, ndërsa operacionet do të vijojnë edhe në Jemen e Bregun Perëndimor.

Në fund, Netanyahu njoftoi se ka vënë në dispozicion një buxhet shtesë gjigant prej 350 miliardë shekelësh (rreth 88 miliardë euro) për mbrojtjen. Ky fond do të përdoret për të zhvilluar teknologji që tejkalojnë kufijtë e imagjinatës dhe për të siguruar pavarësinë absolute të vendit.

Scroll to Top