Tregu Postar Shqiptar: Rritje 49% në Shërbime me Vlerë të Shtuar

Tregu postar po orientohet drejt shërbimeve me vlerë më të shtuar, u rrit me 49% në 2025

Tregu i shërbimeve postare ka shënuar një zgjerim të ndjeshëm vitin e kaluar, duke arritur një volum më të lartë historik. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), ofruesit e shërbimeve postare raportuan të ardhura prej 4.1 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 48.6% krahasuar me vitin 2024.

Analizat e AKEP tregojnë një zhvendosje të kërkesës drejt shërbimeve me kohë të shpejtë dorëzimi dhe me vlerë më të lartë për njësi. Kjo ndryshim në strukturën e volumit ka sjellë një rritje të të ardhurave. Pavarësisht rënies së numrit të objekteve në segmentin tradicional, të ardhurat janë rritur falë peshës në rritje të shërbimeve ekspres dhe pakove postare, të cilat kanë çmime më të larta dhe gjenerojnë më shumë vlerë të shtuar.

Volumi i shërbimit universal postar ka pësuar një tkurrje prej rreth 10% në total. Posta brenda vendit dhe ajo ndërkombëtare kanë shënuar rënie përkatësisht rreth 10% dhe 19%. Kjo tendencë pasqyron ndikimin e dixhitalizimit dhe zëvendësimin e komunikimit fizik tradicional me format elektronike.

Nga ana tjetër, shërbimet ekspres kanë treguar një rritje të qëndrueshme prej rreth 17% në total, me një performancë edhe më të fortë në segmentin ndërkombëtar, ku ka arritur deri në 32%. AKEP vlerëson se tregu po kalon nga një model i bazuar në volum të lartë dhe të ardhura të ulëta për njësi, drejt një modeli ku, edhe me volum më të moderuar, gjenerohen të ardhura më të larta.

Edhe pse tregu dominohet nga disa aktorë kryesorë, ekziston ende një farë fragmentimi në segmentet periferike. Kjo strukturë tregon një treg në fazë konsolidimi, ku operatorët me kapacitete më të mëdha dhe rrjete më të zhvilluara po rrisin gradualisht pjesën e tyre.

Posta Shqiptare kryesoi edhe në vitin 2025, duke zënë rreth 33.7% të tregut, falë rolit të saj si ofrues i shërbimit universal dhe pranisë së gjerë territoriale. Megjithatë, pjesa e saj e tregut ka pësuar një rënie prej rreth dy pikë përqindje krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa shërbimi universal është në rënie, shërbimet ekspres dhe ato jo-universale po rriten, duke treguar një orientim drejt segmenteve më dinamike të tregut. Megjithatë, kjo zhvendosje nuk ka arritur ende të kompensojë plotësisht rënien e volumit tradicional.

Operatorët e tjerë postarë kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin në segmentin e shërbimit jo-universal dhe ekspres, duke rritur volumin e dërgesave të pakove postare, veçanërisht ato të lidhura me tregtinë elektronike. Ky zgjerim është shoqëruar me zhvillimin e rrjeteve të shpërndarjes, përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe rritjen e efikasitetit operacional.

Ndër operatorët privatë, DHL International (Albania) ka shënuar një rritje të konsiderueshme dhe për vitin 2025 zë rreth 28.2% të të ardhurave, duke treguar zhvillimin e segmentit të shërbimeve ekspres dhe ndërkombëtare. Operatorë të tjerë si Ultra C.E.P., me 7.6%, dhe United Transport (Uni Trans), me 7.5%, mbajnë një pozicion të ndërmjetëm, ndërsa Albanian Delivery Express, me 5.2%, ka një pjesë më të kufizuar, por të qëndrueshme. Pjesa e mbetur prej 17.8% i përket operatorëve më të vegjël.

Gjatë vitit 2025, sipërmarrësit e ofrimeve postare kanë raportuar investime prej rreth 326 milionë lekësh në përmirësimin e infrastrukturës së ofrimit të shërbimeve postare. Investimet janë rritur me 9% krahasuar me vitin 2024, ku pjesa më e madhe e tyre, rreth 30.7% e totalit, është kryer nga Posta Shqiptare.

Scroll to Top