400 mace shpëtohen nga therja, arrestohet grup kriminal në Vietnam

Vietnam: 400 mace shpëtohen nga therja, arrestohet grup kriminal

Policia në Vietnam ka arrestuar nëntë persona dhe ka shpëtuar më shumë se 400 mace të gjalla në një operacion kundër një rrjeti kriminal të dyshuar për vjedhjen dhe tregtimin e kafshëve shtëpiake.

Sipas autoriteteve në qytetin Ho Chi Minh, rrjeti dyshohet se ka vepruar për rreth tre vite në jug të vendit. Anëtarët e tij vidhnin mace nga shtëpitë e qytetarëve dhe i destininonin ato për shitje si mish.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi gjithashtu disa kafshë të ngordhura, të ruajtura në akull, si dhe dhjetëra mace të tjera në vendndodhje të ndryshme. Më shumë se 400 mace u gjetën të gjalla, dhe disa prej tyre janë ribashkuar me pronarët e tyre.

Megjithatë, sipas organizatave për mirëqenien e kafshëve, rreth 100 mace kanë ngordhur pas operacionit si pasojë e gjendjes së rënduar dhe përvojës së vështirë që kanë kaluar.

Organizata “Humane World for Animals” njoftoi se të paktën 40 mace janë kthyer tashmë te familjet e tyre. Ajo theksoi gjithashtu se prioritet mbetet kujdesi për kafshët që ende mbahen si prova gjatë procesit hetimor.

Autoritetet bënë të ditur se të dyshuarit i joshin dhe i kapnin kafshët në zona të ndryshme të Vietnamit jugor. Hetimet janë duke vijuar për të përcaktuar nëse ata dispononin dokumentacion ligjor për tregtimin e tyre, siç kërkohet nga ligji vietnamez.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve kanë kërkuar trajtim më të mirë dhe kushte më humane për kafshët e sekuestruara, ndërsa hetimet për rrjetin kriminal vazhdojnë.

Scroll to Top