Nafta bie në 180 lekë për litër
Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të datës 16 Qershor 2026, ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 3 lekë për litër.
- Çmimi maksimal i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 do të jetë 180 lekë/litër.
- Çmimi maksimal i shitjes me shumicë për gazoilin do të jetë 168 lekë/litër.
- Çmimi maksimal i shitjes me pakicë për nënproduktin benzinë të standardit SSH EN do të jetë 168 lekë/litër.
- Çmimi maksimal i shitjes me shumicë për benzinën do të jetë 156 lekë/litër.
Këto çmime, të caktuara nga Bordi, do të hyjnë në fuqi nga sot, data 16, ora 14:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme të çmimeve të shitjes.
Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi. Shkeljet e konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të rezultojnë në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin tejkalon 220 lekë/litër, ose për benzinën tejkalon 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për këtë arsye, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, në masën 100%.
Gazoili për peshkim:
Lidhur me çmimin e shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit nr. 9975, datë 28.07.2008, “Për taksat Kombëtare”, neni 9, pika 6, parashikohet përjashtimi nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit për anijet e peshkimit. Gjithashtu, neni 10, pika 3, germa “d” e Ligjit nr. 61/2012, “Për akcizat në RSH”, parashikon përjashtimin nga detyrimet e akcizës për karburantin e anijeve të peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM.
Bazuar në metodologjinë e përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim rezulton 84 lekë.
