Financial Times: Do të duhen javë për të rifilluar tranzitin përmes Ngushticës së Hormuzit
Pronarët e anijeve nuk pritet të rifillojnë menjëherë tranzitin nëpër Ngushticën e Hormuzit, edhe pas njoftimit për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë japoneze Mitsui OSK Lines, Jotaro Tamura, sektori i transportit detar kërkon prova konkrete se situata është stabilizuar përpara se të rikthejë lundrimin në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Në një intervistë për Financial Times, Tamura theksoi se nuk mjafton vetëm arritja e një marrëveshjeje politike, por ajo duhet të shoqërohet me përmirësim real të sigurisë në terren, në mënyrë që kompanitë e transportit të ndihen të sigurta për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit.
“Duke pasur parasysh përvojën e muajve të fundit, është e arsyeshme të mendohet se mund të duhen të paktën dy javë, ose edhe një muaj, përpara se operatorët të rifillojnë normalisht lundrimin”, deklaroi ai.
Luftimet në rajon kanë ndikuar ndjeshëm në qarkullimin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik nga ku kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, si edhe mallra të tjera të rëndësishme si alumini dhe ureja.
Mitsui OSK Lines, një nga kompanitë më të mëdha të transportit detar në Japoni me mbi 900 anije në flotën e saj, vazhdon të mbajë një qasje të kujdesshme ndaj zhvillimeve në rajon.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se anijet e ngarkuara me naftë kanë nisur të lëvizin sërish përmes rrugëve të sigurta detare, duke theksuar se “Rruga Jugore” është plotësisht e mbrojtur dhe funksionale.
Megjithatë, sipas drejtuesve të industrisë, besimi i plotë i operatorëve do të rikthehet vetëm pasi stabiliteti në rajon të provohet në praktikë.
