Kaos në Tunizi pas shkarkimit të trajnerit gjatë Botërorit: Publikohet emër i gabuar dhe 8 lojtarë i kundërvihen vendimit
Tunizia është përfshirë nga një situatë kaotike pas humbjes së thellë 5-1 përballë Suedisë, në ndeshjen e parë të Botërorit 2026, zhvilluar në Monterrej. Sabri Lamushi, trajneri i përfaqësueses tuniziane, u shkarkua pak orë pas përfundimit të ndeshjes, duke shtuar edhe më shumë mjegull në rrethanat e largimit të tij.
Pak kohë më pas, federata tuniziane zyrtarizoi emrin e Herve Renard si trajnerin e ri, duke shpresuar se francezi do të arrijë ta rivendosë ekipin në rrugën e duhur gjatë zhvillimit të Botërorit. Megjithatë, kaosi që shoqëroi largimin e Lamushi vështirë se do të harrohet.
Sipas informacioneve, ekipi ishte kthyer në hotel kur vetë Lamushi mori vesh për shkarkimin e tij nga një postim në rrjetet sociale të federatës. Postimi njoftonte se ai ishte larguar nga detyra me marrëveshje dhe vendin e tij e kishte marrë Mondher Kebaier. Megjithatë, duket se asgjë nuk ishte nënshkruar.
Federata e fshiu menjëherë postimin, pa ofruar shpjegime të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, 8 lojtarë, ndër më të spikaturit në ekip, raportohet se kanë kërkuar zyrtarisht që vendimi për shkarkimin e Lamushi të mos zbatohet.
Pas disa orësh negociata, Lamushi dhe Federata arritën të gjenin një gjuhë të përbashkët për të mbyllur marrëveshjen e largimit pa shumë zhurmë, edhe pse ky incident do të mbetet përgjithmonë një kapitull i errët në karrierën e ish-futbollistit francez.
Sipas raportimeve të “L’Equipe”, që ka zbardhur prapaskenat e kësaj ngjarjeje, Lamushi ka gjetur një mbështetje të vogël ngushëllimi nga sulmuesi i njohur Andre-Pierre Gignac. Ky i fundit e ka ftuar trajnerin të qëndrojë disa ditë në vilën e tij në Monterrej për t’u qetësuar, para se të kthehej në Europë.
Burimi: PANORAMASPORT.AL
