Turizmi, hapet tenderi për zhvillimin e aftësive si pjesë e programit 106 mln euro
Në një sektor ku numri i vizitorëve po rritet më shpejt se kapacitetet për t’i shërbyer, ekziston një nevojë e madhe për të zhvilluar aftësitë e personave që mbështesin këtë fushë. Kjo është arsyeja kryesore për procedurën e hapur së fundmi në sistemin e prokurimeve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Konkretisht, bëhet fjalë për projektin “Zhvillimi i aftësive profesionale në sistemet lokale të turizmit”, i cili është pjesë e programit “Albania Infrastructure and Tourism-Enabling Programme” (Programi për Infrastrukturën dhe Mundësimin e Turizmit në Shqipëri). Fondi Shqiptar i Zhvillimit, agjencia zbatuese e programit, ka nisur këtë procedurë tenderuese. Ajo parashikon ofrimin e shërbimeve konsulente për hartimin dhe zbatimin e programeve të trajnimit profesional në rajone pilot të projektit.
Objektivi kryesor, sipas njoftimit, është forcimi i bazës së aftësive dhe rritja e punësimit në sistemet lokale të turizmit. Ky synim do të arrihet duke adresuar në mënyrë efektive boshllëqet e identifikuara nga vlerësimi i nevojave për aftësi profesionale.
Tenderi do të zhvillohet si një procedurë e hapur ndërkombëtare me dy zarfe. Afati përfundimtar për dorëzimin e ofertave është data 3 gusht 2026, ora 12:00.
Projekti për turizmin
Ky komponent specifik është pjesë e një programi më të gjerë financimi, me një vlerë totale prej rreth 106 milionë eurosh. BERZH ka akorduar një hua sovrane deri në 60 milionë euro për qeverinë shqiptare, ndërsa Bashkimi Europian kontribuon me një bashkëfinancim prej 46 milionë eurosh në formën e një granti investimesh.
Programi synon të nxisë zhvillimin e turizmit nëpërmjet investimeve strategjike në infrastrukturë, trashëgimi kulturore, vende me bukuri natyrore dhe ekonomi lokale. Këto investime do të fokusohen në zona me potencial të lartë turistik, duke përfshirë qytete si Berati, Korça, Shkodra dhe Fieri.
Në kuadër të këtij programi, janë parashikuar projekte të ndryshme, duke përfshirë:
- Rehabilitimin e vendeve të trashëgimisë kulturore dhe historike.
- Përmirësimin e zonave natyrore.
- Investime në rrugë dhe infrastrukturë komunale.
- Mbështetjen e zinxhirit lokal të vlerës në sektorin e turizmit.
Programet e trajnimit, që janë aktualisht në fokus, pritet të lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut. Qëllimi është që investimet në destinacione dhe infrastrukturë të shoqërohen me ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe profesionale në sektorin e turizmit.
