SHBA, Irani dhe ndërmjetësit diskutojnë nënshkrimin elektronik të marrëveshjes, Ngushtica e Hormuzit në fokus
Shtetet e Bashkuara, Irani dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë po shqyrtojnë mundësinë që një memorandum mirëkuptimi të nënshkruhet në distancë, të mërkurën, në vend të nënshkrimit fizik të planifikuar për të premten. Ky informacion vjen nga raportimi i Axios, i cili citon burime diplomatike.
Sipas këtyre burimeve, nëse palët bien dakord, dokumenti mund të firmoset elektronikisht. Kjo do të sillte hyrjen menjëherë në fuqi të disa pjesëve të marrëveshjes, veçanërisht atyre që lidhen me Ngushtica e Hormuzit.
Diplomatët shpjegojnë se përshpejtimi i afateve ka si qëllim hapjen më të shpejtë të ngushticës, pasi palët thuhet se kanë arritur tashmë një dakordësi paraprake për këtë çështje.
Një tjetër faktor që ndikon në diskutime është presioni politik mbi Shtëpinë e Bardhë për publikimin e tekstit të marrëveshjes. Sipas burimeve, Irani ka kërkuar që përmbajtja të mos bëhet publike deri pas nënshkrimit zyrtar, ndërsa SHBA-të nuk kanë konfirmuar ende një afat për publikimin.
Një burim diplomatik ka sugjeruar se teksti i marrëveshjes mund të publikohet që të mërkurën, por deri tani nuk është marrë një vendim përfundimtar për ndryshimin e datës së nënshkrimit.
Pavarsësisht diskutimeve për formatin e firmosjes, një takim mes delegacioneve amerikane dhe iraniane pritet të zhvillohet të premten në Zvicër. Në këtë takim do të udhëheqin bisedimet përfaqësues të lartë të të dy vendeve. Fokusi kryesor i takimit pritet të jetë fillimi i negociatave për programin bërthamor iranian.
Burime të ndryshme kanë dhënë gjithashtu versione të ndryshme mbi faktin nëse marrëveshja është nënshkruar tashmë në mënyrë elektronike më herët gjatë javës, duke lënë ende paqartësi mbi procesin formal të miratimit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, hapja e Ngushticës së Hormuzit dhe zbatimi i marrëveshjes do të nisin vetëm pas nënshkrimit zyrtar. Megjithatë, ky afat mund të përshpejtohet nëse dokumenti firmoset më herët se data e planifikuar.
