Von der Leyen nuk kërkon mandatin e tretë si Presidente KE

“Politico”: Von der Leyen nuk ka ndërmend të kandidojë për një mandat të tretë si presidente e KE-së

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, nuk ka ndërmend të kërkojë një mandat të tretë si kryetare e këtij institucioni në vitin 2029.

Ky informacion u raportua nga Politico, duke cituar dy zyrtarë të lartë. Sipas tyre, tema u diskutua gjatë një darke të organizuar për zyrtarë të lartë evropianë, ku u trajtua edhe ristrukturimi i planifikuar i KE-së.

Zyrtarët thanë se shefi i kabinetit të zonjës von der Leyen, Björn Seibert, theksoi gjatë diskutimeve se presidentja aktuale e KE-së nuk është e interesuar të kandidojë për një mandat të tretë.

Nga ana e saj, Komisioni Evropian deklaroi për botimin se Ursula von der Leyen është “plotësisht e përqendruar në mandatin e saj aktual dhe sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa sot”.

Ursula von der Leyen mban postin e Presidente të KE-së që nga 1 dhjetori 2019. Në verën e vitit 2024, ajo u konfirmua për një mandat të dytë, i cili përfundon në vitin 2029.

Scroll to Top