Bolivi: Gjendje e jashtëzakonshme pas protestave masive

Protesta masive dhe bllokime të rrugëve, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Bolivi

Presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ky vendim synon përballimin e krizës së thelluar nga bllokadat rrugore dhe protestat masive që kanë paralizuar ekonominë e vendit për më shumë se 50 ditë.

Vendimi u bë publik gjatë një fjalimi drejtuar kombit dhe i hap rrugën angazhimit të forcave të armatosura brenda territorit. Objektivi kryesor është rivendosja e rendit publik dhe zhbllokimi i akseve kryesore të transportit.

Ky zhvillim vjen vetëm disa orë pasi qeveria kishte njoftuar një marrëveshje me konfederatën kryesore sindikale të vendit, Central Obrera Boliviana. Kjo e fundit kishte shpallur heqjen e masave të presionit. Megjithatë, marrëveshja nuk përfshin të gjithë sektorët e mobilizuar në protestë, duke lënë jashtë disa grupe të rëndësishme sociale dhe ekonomike.

Organizata e fermerëve dhe kultivuesve të kokës në rajonin e Chapare-s, një zonë e njohur si bastion i ish-presidentit Evo Morales, kanë vijuar protestat dhe bllokadat. Përfaqësues të tyre kanë deklaruar se do të intensifikojnë veprimet në rrugë.

“Vëllezërit indigjenë ndihen të tradhtuar”, u shpreh Antonio Malcu, një nga drejtuesit e organizatave të tregjeve, duke kritikuar marrëveshjen mes qeverisë dhe sindikatës kryesore.

Kriza politike dhe sociale në Bolivi mbetet e hapur, ndërsa vendi përballet me një përshkallëzim të tensioneve dhe pasigurisë në disa prej zonave kryesore ekonomike dhe rurale.

Scroll to Top