Ligji për Sigurimin e Veprave Publike Nuk Zbatohet

Sigurimi i detyrueshëm për veprat publike, ligji nuk zbatohet

Detyrimi për sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta nga ana e ndërtuesit nuk kufizohet vetëm për objektet banesore dhe ndërtesat në përgjithësi, por shtrihet edhe në rastet e ndërtimeve të tjera inxhinierike. Ashtu siç ndërtuesi detyrohet të sigurojë përgjegjësitë e tij gjatë ndërtimit të një pallati, duke marrë në konsideratë edhe rreziqe specifike si rrëshqitja e tokës, i njëjti detyrim duhet të zbatohet edhe për ndërtimin e rrugëve apo veprave të tjera publike.

Në rast se një rrugë shembet brenda 10 viteve nga momenti i ndërtimit, shteti, si përfitues i sigurimit, duhet të kompensohet nga kompania e sigurimeve. Fatkeqësisht, raste të dëmtimit të rrugëve menjëherë pas ndërtimit kanë ndodhur, siç ishte rasti i Unazës së Burrelit.

Në dhjetor të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që përcakton kushtet dhe elementet e përgjithshme të sigurimit të përgjegjësisë profesionale për projektuesit, grupet e projektimit dhe zbatuesit e punimeve, si dhe rregullat dhe elementet e sigurimit të përgjegjësisë së zhvilluesit për të gjitha ndërtimet me vlerë mbi 100 milionë lekë.

  • Projektuesi i licencuar është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi për përgjegjësinë profesionale. Kjo kontratë mbulon çdo dëm që mund të shkaktohet gjatë procesit të ndërtimit si pasojë e veprimtarisë së tij. Shuma e sigurimit duhet të mbulojë shpenzimet e nevojshme për riprojektim, si dhe kostot shtesë për zhvilluesin ose organet e administratës publike, të shkaktuara nga gabime në projektim.
  • Zbatuesi i punimeve, si person juridik i licencuar, gjithashtu detyrohet të lidhë një kontratë sigurimi për përgjegjësinë profesionale. Kjo mbulon dëmet e shkaktuara gjatë procesit të ndërtimit. Shuma e sigurimit duhet të garantojë kryerjen e punimeve të reja dhe kompensimin e zhvilluesit ose organeve publike për dëmet e shkaktuara nga zbatimi i punimeve në kundërshtim me kontratën, planet zhvillimore apo legjislacionin në fuqi.
  • Zhvilluesi, si person fizik apo juridik, për ndërtime me vlerë mbi 100 milionë lekë, është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi për përgjegjësinë profesionale, e cila mbulon dëmet ndaj palëve të treta gjatë procesit të zhvillimit. Shuma e sigurimit llogaritet në përqindje ndaj vlerës së preventivuar të punimeve, pa përfshirë TVSH-në, dhe nuk duhet të jetë më shumë se 15% e kësaj vlere.

Megjithatë, sipas siguruesve, ky detyrim ligjor për ndërtuesit e veprave publike nuk zbatohet thuajse kurrë, me përjashtime të rralla, kryesisht për kompanitë e huaja.

Scroll to Top