Qeveria drejton fondet nga rritja ekonomike drejt investimeve, por has vështirësi në realizimin e tyre
Parashikimet e qeverisë shqiptare për investimet publike deri në vitin 2026 janë rishikuar ndjeshëm në rritje, krahasuar me Kuadrin Makroekonomik 2026-2028. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të pasqyruara në analizën “Raporti i Devijancave të Parashikimeve”, fondet e alokuara për investime publike pritet të arrijnë në 179.8 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 12.2 miliardë lekësh krahasuar me Kuadrin Makroekonomik. Ky ndryshim rrit peshën e shpenzimeve kapitale në 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 6.1% që synohej në planet fillestare.
Ministria e Financave thekson se rritja e buxhetit për investime mbështetet tërësisht nga burimet e brendshme financiare, të cilat kanë kompensuar edhe rënien e financimit të huaj. Një mbështetje kryesore e këtij rishikimi pozitiv është Financimi i Brendshëm, i cili rritet nga 112.4 miliardë lekë në planin fillestar në 126.8 miliardë lekë në buxhetin e miratuar, duke shënuar një shtesë prej 14.3 miliardë lekësh ose rreth 12.7% më shumë. Brenda këtij zëri, vlen të theksohet alokimi i ri prej 1 miliard lekësh, i dedikuar specifikisht si “Injektim/Kthim kapitali nga AIC (Korporata Shqiptare e Investimeve) / BZHSH (Banka Shqiptare për Zhvillim)”, një zë ky që nuk ishte parashikuar në kuadrin e fillim-vitit.
Ndryshe nga burimet e brendshme, Financimi i Huaj ka pësuar një tkurrje me rreth 2.1 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2026, krahasuar me Kuadrin Makro. Sipas Ministrisë së Financave, ky ngadalësim vjen kryesisht si pasojë e fondeve të huaja në sektorin e energjisë, i cili nuk do të mund të alokojë rreth 2 miliardë lekë që ishin parashikuar në Kuadrin Makro. Nga ana tjetër, fondet e lidhura me planin e rritjes së Bashkimit Evropian (New Growth Plan) mbeten 6.8 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2026, me një rënie të papërfillshme prej 86 milionë lekësh krahasuar me Kuadrin Makroekonomik.
Qeveria ka vendosur të mos ndryshojë fondet e alokuara për procesin e rimëkëmbjes nga tërmeti. Fondi i Rindërtimit mbetet saktësisht në vlerën 5 miliardë lekë (0.2% e PBB-së), i mbështetur plotësisht nga buxheti i shtetit, duke garantuar vijueshmërinë e projekteve pa asnjë devijim.
Ministria e Financave shpjegoi se rishikoi me rritje investimet publike në buxhetin e vitit 2026, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) nominal është rivlerësuar me një rritje prej 24.7 miliardë lekësh në buxhetin 2026.
Megjithatë, teksa fondet për investime vijnë në rritje, dobësitë e qeverisë për realizimin e tyre po thellohen. Shpenzimet kapitale nga buxheti i shtetit ishin vetëm 14.8 miliardë lekë në katër-mujorin e parë të vitit 2026, niveli më i ulët që nga viti 2015. Të dhënat zyrtare tregojnë se, ndërsa nevoja për infrastrukturë është në rritje, për shkak edhe të kritereve të integrimit, aftësia e shtetit për të realizuar investime kapitale ka rënë në nivele shqetësuese. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me rastet e mëdha të korrupsionit që kanë përfshirë institucionet kryesore shqiptare, të cilat kanë përgjegjësinë për të menaxhuar infrastrukturën kritike të vendit.
