SHBA zgjat emergjencën për Ballkanin: Korrupsioni rrezik

Korrupsioni dhe kërcënimi i sovranitetit vazhdojnë të përbëjnë rrezik për sigurinë amerikane; SHBA zgjat gjendjen e emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar zyrtarisht zgjatjen edhe me një vit të gjendjes së emergjencës kombëtare lidhur me Ballkanin Perëndimor. Përmes një urdhri të firmosur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Uashingtoni konfirmon se situata në rajon, e karakterizuar nga korrupsioni i përhapur, minimi i marrëveshjeve të pasluftës dhe tentativat për të cenuar integritetin territorial, vazhdon të përbëjë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.

Gjendja e emergjencës, e cila daton që nga viti 2001, do të mbetet në fuqi përtej afatit të parashikuar të 26 qershorit 2026, në përputhje me Ligjin për Emergjencat Kombëtare të SHBA-së.

Urdhri i parë ekzekutiv (13219) u miratua më 26 qershor 2001 për të adresuar dhunën ekstremiste në Maqedoninë e Veriut të asaj kohe dhe pengesat ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë apo Rezolutës 1244 të OKB-së në Kosovë. Megjithatë, përgjatë dy dekadave të fundit, fushëveprimi i këtij urdhri ka pësuar ndryshime rrënjësore, duke u përshtatur me rreziqet e reja në rajon. Në qershor të vitit 2021, fusha e veprimit të emergjencës u zgjerua zyrtarisht duke përfshirë edhe territorin e Republikës së Shqipërisë.

SHBA-ja konstatoi se korrupsioni i përhapur në qeveritë dhe institucionet e ndryshme të Ballkanit Perëndimor, si dhe minimi i institucioneve të pasluftës, pengojnë përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike, si dhe integrimin e plotë në institucionet euroatlantike.

Sipas njoftimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, hapat e fundit lidhur me këtë emergjencë u ndërmorën përmes një Urdhri Ekzekutiv të firmosur më 8 janar 2025 (EO 14140). Ky vendim erdhi në dritën e ngjarjeve shqetësuese ku individë të caktuar në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të kombeve të rajonit. Dokumenti vë në dukje se këta aktorë jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit përmes korrupsionit të theksuar, por po angazhohen në mënyrë aktive për t’iu shmangur dhe evaduar sanksionet e vendosura nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Për këto arsye, duke qenë se veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkan mbeten një rrezik real, gjendja e emergjencës kombëtare është zgjatur zyrtarisht me 1 vit. Ky njoftim do të publikohet në Regjistrin Federal dhe do t’i transmetohet menjëherë Kongresit Amerikan për procedim të mëtejshëm.

Scroll to Top