Tragjedi në SHBA: Gjyshja dyshohet se helmoi vajzën dhe nipërit

Tragjedi familjare në SHBA: Gruaja 64-vjeçare dyshohet se helmoi vajzën dhe katër nipërit pas humbjes së kujdestarisë

Një ngjarje e rëndë familjare ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara, ku një grua 64-vjeçare, Amy Steedman, dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e vajzës së saj 44-vjeçare, Sarah Myers, dhe katër nipërve të saj. Të pesë viktimat u gjetën të vdekur në një shtëpi në Nju Jork.

Policia ka arritur në përfundimin se 64-vjeçarja është përgjegjëse për vdekjen e tyre, duke përdorur helm për të vepruar. Motivi dyshohet të jetë vendimi i kohëve të fundit për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijëve babait të tyre.

Në vendngjarje është gjetur një shënim i shkruar me dorë, i cili “sugjeron fuqimisht” përfshirjen e 64-vjeçares në vdekjen e vajzës dhe nipërve të saj. Viktima të moshës fëminore janë: 13-vjeçarja Harper, 11-vjeçari Hudson dhe binjakët 10-vjeçarë, Gavin dhe Gracelyn.

Zëdhënësi i policisë ka deklaruar se njëri nga fëmijët u gjet i plagosur me thikë, ndërsa tre të tjerët rezultuan të helmuar. “Ka prova të gjetura nga brenda apartamentit që sugjerojnë helmim të qëllimshëm – duke përfshirë ilaçe të shumta me recetë dhe pa recetë,” tha ai, duke shtuar se nuk ka indikacione për përfshirjen e personave të tjerë.

Sipas burimeve, fëmijëve iu injektuan shiringa të gjetura në shtëpinë e gjyshes së tyre. Të pestë viktimat kishin qenë të vdekur për një kohë të konsiderueshme dhe trupat e tyre ishin në gjendje dekompozimi kur një fqinj, pasi nuk e kishte parë 64-vjeçaren prej disa ditësh, njoftoi policinë të martën në mbrëmje.

Burime policore kanë bërë të ditur se Stedman ishte e pakënaqur me vendimin gjyqësor për t’ia dhënë kujdestarinë e fëmijëve babait të tyre, Brandy Harmon. Ky vendim, që do të hynte në fuqi të mërkurën e ardhshme, ishte për një periudhë dy-mujore.

Brandy Harmon, i cili nuk i kishte parë fëmijët që nga viti 2019, po përgatitej me entuziazëm për ardhjen e tyre në shtëpinë e tij në Utah, kur oficerët e policisë i dhanë lajmin e hidhur të martën.

Harmon u shpreh i tronditur dhe i zemëruar: “Kalova nga ‘Do t’i shoh fëmijët e mi’ në ‘Nuk do t’i shoh më kurrë fëmijët e mi’. Shpresoj të shkojë në ferr. Ndodhin gjëra, por jo si kjo.” Ai akuzoi gjithashtu ish-gruan e tij se e pengonte të shihte fëmijët, duke lejuar vetëm komunikime të rralla nëpërmjet FaceTime.

Scroll to Top