Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vrasjen e gjykatësit Astrit Kalaja, duke shprehur shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë në institucionet shqiptare.
Hoxha theksoi se në Shqipëri mungon kultura e dorëheqjes dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ai shtoi: “Kush mund ta japi dorëheqjen? Nuk kemi ne kulturë të japim dorëheqjen. Vetëm Sivinjo nesër mund të japi, nëse humb. Nuk e kemi ne këtë kulturë, as të klasës politike, as të magjistratëve që të ndjejnë përgjegjësi deri në atë shkallë, e të thonë që kjo nuk eci dhe unë duhet të largohem.”
Gazetari akuzoi politikën për përhapjen e gjuhës së dhunës, duke filluar nga kryeministri. Ai tha: “Përgjegjësi? Një sistem i tërë i devijuar, është gjuha e urrejtjes që nuk e përdorin mediat, por kryeministri i pari.”
Artan Hoxha përmendi raste kur gjykatës të përvojës kanë pasur incidente, madje edhe kanë qëlluar me armë njëri-tjetrin. Ai rikthehet te çështja e dorëheqjes dhe përgjegjësisë, duke e cilësuar përgjegjës një “sistem të tërë të devijuar” dhe “gjuhën e urrejtjes” që, sipas tij, nuk vjen nga mediat, por nga vetë kryeministri.
Ai vuri në dukje si shembull rastin e një prokuroreje në Shkodër, e cila u sulmua personalisht pasi nuk dha një vendim sipas dëshirës së kryeministrit. Hoxha pyeti nëse prokurorët e vendit u ngritën për këtë ngjarje, duke shtuar se qytetarët, kur shohin që kryeministri zgjidh gjërat me dhunë dhe pushtet, do të veprojnë në mënyrë të ngjashme.