“`html
Turistët nga Kosova dhe Italia vijojnë të jenë në krye, SHBA dhe Polonia me rritjen më të shpejtë
Turistët nga Kosova vazhdojnë të dominojnë hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë periudhës janar-maj. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se hyrjet nga Kosova arritën në 1,269,643 në pesë muajt e parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 9.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Italia renditet e dyta me 464,465 hyrje, duke shënuar një rritje prej 16.3%. Përveç shqiptarëve me banim në Itali, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë edhe turistë italianë të cilët zgjedhin vizita të shkurtra. Turizmi kulturor, agroturizmi dhe oferta kulinare janë ndër segmentet që po fitojnë terren në këtë treg.
Nga vendet fqinje, Maqedonia e Veriut pati një rënie prej 3.2%, duke regjistruar 298,500 hyrje, Mali i Zi ra me 4.3%, duke arritur në 284,520 hyrje, ndërsa Greqia shënoi një rritje prej 1.6%, me 290,764 hyrje.
Mbretëria e Bashkuar regjistroi 123,363 hyrje, ose 15.5% më shumë se një vit më parë. Franca shënoi një rritje prej 14.2%, ndërsa hyrjet nga Shtetet e Bashkuara u rritën ndjeshëm, me 28.2%, duke arritur në 73,212. Interesi nga tregu francez është reflektuar edhe në kontrata garancie me operatorë turistikë.
Ndërkohë, nga Shtetet e Bashkuara po rritet jo vetëm numri i turistëve që zgjedhin vizita të shkurtra, por edhe ai i pensionistëve dhe nomadëve digjitalë, të cilët e përfshijnë Shqipërinë në planet e tyre për shkak të kostos konkurruese të jetesës.
Polonia regjistroi një nga normat më të larta të rritjes, me 66,897 hyrje, ose 55.8% më shumë se në pesëmujorin e parë të vitit 2025. Vizitorët polakë, së bashku me çekët, mbeten ndër grupet më tradicionale të turizmit të organizuar, duke udhëtuar prej më shumë se një dekade me paketa “all inclusive”, kryesisht drejt zonës së Golemit.
Në drejtimin tjetër, Gjermania regjistroi 109,592 hyrje, duke shënuar një rënie prej 9.1%, ndërsa Turqia pati një ulje prej 6.7%. Edhe Serbia regjistroi më pak hyrje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vetëm gjatë muajit maj, hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 1,143,595, nga 987,077 në maj 2025. Vizitorët nga Kosova përbënin 32.3% të totalit, me 368,815 hyrje, ndërsa Italia renditej e dyta me 120,344 hyrje dhe një peshë prej 10.5% të totalit.
Në total, Shqipëria regjistroi 3.7 milionë hyrje të shtetasve të huaj gjatë pesëmujorit janar-maj 2026, ose 8.2% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“`
