Kryeministri Edi Rama, duke prezantuar librin “The Albanian Files” në podcast-in e tij “Flasim”, deklaroi se është vënë në shënjestër të një “inkuizicioni revolucionar të protestës”, i cili sipas tij buron nga “fryma e bulevardit”.
Rama theksoi se libri është një botim plotësisht i pavarur, i cili përmban kontributet e studiove arkitekturore që kanë punuar në Shqipëri për dy dekada. Ai sqaroi se libri përfshin punët, projektet, idetë dhe shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar, të cilët i bashkon Shqipëria.
“Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me librin,” tha Rama. Ai shtoi se ky “inkuizicion” po përhap akuza dhe shpifje ndaj një prej grupeve më të rëndësishme që kanë kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit.
Kryeministri vuri në dukje se personat e përfshirë në libër kanë ndërtuar karrierën e tyre në skenën botërore të arkitekturës dhe se kontributet e tyre do të ndihmojnë Shqipërinë dhe brezat e ardhshëm të arkitektëve dhe urbanistëve të ngrenë emrin e Shqipërisë në botë. Ai e cilësoi Shqipërinë si “universitetin më të madh dhe prestigjioz në qiell të hapur të arkitekturës dhe zhvillimit urban”.
“The Albanian Files” është vendosur nën shënjestër nga ky “inkuizicion”, pavarësisht se nuk është libri im dhe as i botuar prej meje. Unë thjesht kam dhënë aty një tekst parathënës, dhe jam krenar që si kryeministër i Shqipërisë, isha i ftuar ta shkruaja,” u shpreh Rama. Ai nënvizoi se projekti editorial është tërësisht i pavarur.
Rama u shpreh se pavarësisht se mund të ketë gjëra të diskutueshme apo kritike në libër, sulmi ndaj një botimi të tillë dhe veçanërisht ndaj një teksti autoironik të një arkitekti të njohur, është “kulmi”. Ai shpjegoi se teksti në fjalë, i cili në mënyrë autoironike paraqitet si një letër drejtuar atij, është një shënim në dosjen e arkitektit, ku ai shtron dilema të natyrës artistike dhe profesionale, të cilat janë kthyer kokëposhtë dhe interpretuar si diçka tjetër.
Kryeministri theksoi lirinë editoriale të librit dhe ironinë që nis që prej titullit të tij. Ai sqaroi se të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në dosjet e tyre, duke zgjedhur vetë projektet dhe tekstet për publikim. Autonomia e autorëve është ruajtur gjatë gjithë procesit editorial, duke e bërë letrën e Reinier de Graaf një dëshmi të kësaj autonomie. Titulli “files” (dosjet) është një referencë ironike ndaj një Shqipërie që vjen nga një kohë e regjimit të dosjeve, ndërkohë që në këtë libër, dosjet janë të hapura për publikun.
“Ky tekst nuk do të ishte aty nëse botimi do të ishte propagandistik apo i kontrolluar politikisht,” tha Rama, duke nënvizuar se ai as nuk e ka parë dhe as nuk e ka kërkuar tekstin para botimit.
Rama shtoi se Reinier de Graaf, përveçse një arkitekt i njohur ndërkombëtarisht, është edhe autor librash dhe esesh mbi marrëdhëniet mes arkitekturës, pushtetit, kapitalit dhe politikës. Ai përdor një stil ironik, satirik dhe paradoksal, mjete të cilat i ka aplikuar edhe kur ka shkruar për qytete dhe sisteme të ndryshme botërore. “E gjithë kjo kthehet në një nga shumë tekstet e akuzës, akuzës inkuizicionale që po më bëhet nga gjithfarëlloj personazhesh,” përfundoi Rama.
